Skip to content
Të Gjitha

Mafia shqiptare ndër më të rrezikshmet në nivel ndërkombëtar! Shqipëria vend tranzit i heroinës

· 2 min lexim

Grupet kriminale shqiptare janë ndër më aktivet në vendet e huaja, ndërsa Shqipëria cilësohet si vend tranzit i heroinës nga Azia Qëndrore dhe Afganistani drejt tregut të Europës Perëndimore.

Kështu është pasqyruar në raportin me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të 2019 mbi situatën kriminale në Itali.

Ky raport është prezantuar nga ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese, ditën e sotme në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin Italian.

Në këtë raport thuhet se : “Krimi i organizuar shqiptar konfirmohet si ndër më aktivët në Itali e mbështetet nga grupet kriminale të ngjashme shqiptarësh aktivë në Holandë, Belgjikë,Austri, Britani e Madhe, Gjermani e Spanjë.Këto grupe kontaktojnë drejtpërdrejtë me referentët e tyre në Shqipëri në mënyrë të veçantë në aktivitete kriminale komplekse.

Krimi i organizuar shqiptar është shtrirë thuajse në të gjithë Italinë, por më së shumti është përqëndruar në Veri dhe në rajonin e Puglias në jug.

Bandat kriminale shqiptare janë kthyer në një urë lidhëse për disa grupe mafioze italiane sa i përket furnizimit me drogë.

Kjo falë lidhjeve të gjera e rrjetit që zotërojnë në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë në Amerikën e Jugut, në Holandë, Spanjë, Turqi e Angli.

Përveç trafikut të drogës aktiviteti kriminal shqiptar gjatë gjashtëmujorit të parë të 2019 është përfshirë dhe në aktivitetin e prostitucionit e në krimin ndaj pasurisë si grabitje të dhunshme, kërcënim e zhvatje.