Skip to content
Kryesore

Lorela Cubaj, basketbollistja shqiptare e kombëtares italiane fiton medalje bronzi në Europian

· 2 min lexim

Pas një pritjeje 30-vjeçare, kombëtarja italiane e basketbollit për femra ka rikthyer medaljen në shtëpi, duke mposhtur Francën me rezultatin 69-54 në ndeshjen për vendin e tretë në EuroBasket Women 2025, zhvilluar në Pire.

Me këtë fitore, Italia siguroi medaljen e bronztë dhe u ngjit në podiumin evropian pas tre dekadash mungesë.

Një nga protagonistet kryesore të këtij suksesi ishte Lorela Cubaj, 26-vjeçarja me origjinë shqiptare, e cila jo vetëm spikati në parket, por edhe u vlerësua si një nga më të mirat e ndeshjes.

Ajo ka hyrë tashmë në histori si shqiptarja e parë që fiton një medalje në Kampionatin Europian të Basketbollit për femra.

Cubaj kishte dhënë sinjalet e vendosmërisë së saj që në çerekfinale, ku me një paraqitje vendimtare ndihmoi Italinë të kualifikohej ndaj Turqisë.

Ky sukses është një tjetër arritje për të, pasi ajo është gjithashtu e para shqiptare që është aktivizuar në ligën më të fortë të basketbollit për femra në botë, “WNBA”.

Finalja e EuroBasket Women 2025 u zhvillua mes Belgjikës dhe Spanjës, me belgët që dolën kampione pas një fitoreje dramatike 67-65, duke siguruar medaljen e artë.

Por në radhët e triumfit italian, emri i Lorela Cubaj mbetet një nga më të përfolurit, si simbol i një brezi të ri që po bën histori.