Individëve dhe subjekteve të vogla të biznesit, mund t’u kontrollohen llogaritë bankare nga Shërbimi Informativ dhe nga Tatimet, qoftë edhe për procedurë.
Bankat private do t’u japin mundësinë organeve të specializuara shtetërore që të “hedhin një sy” edhe në kursimet e shqiptarëve, kjo, gjithmonë në ato raste kur strukturat shtetërore kanë dyshime për aktivitete të paligjshme.
Një projektligj i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, drejtuar nga Linda Karçanaj, synon krijimin e një regjistri qendror për llogaritë bankare dhe do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Në draftin e nxjerrë për konsultim, Financat argumentojnë se, kjo vjen në kuadër të rekomandimeve të bëra nga Task Forca Financiare, FATF, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe duke specifikuar edhe pjesën që i takon pronarëve përfitues.
“Qëllimi i përgatitjes së këtij projektligji synon përcaktimin e funksioneve të regjistrit të llogarive bankare, mënyrën e raportimit dhe shfrytëzimit të të dhënave të llogarive bankare, si dhe aksesin dhe shfrytëzimin e këtij regjistri me qëllim identifikimin e pasurive të dyshuara me prejardhje nga veprimtari veprimtarive kriminale, nëpërmjet transaksioneve bankare.
Regjistri do të përdoret pikërisht si një mjet për zbulimin, identifikimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, ndjekjen penale të autorëve të veprave penale, zbulimin, gjurmimin ose identifikimin e pasurive të dyshuara me origjinë nga veprimtari kriminale si edhe detyrimeve tatimore”,- thuhet në relacion.
Bankat do të raportojnë të dhëna çdo ditë, kush do ketë akses
Projektligji parashikon që informacioni primar do të merret nga institucionet financiare duke u lënë atyre si detyrim që çdo ditë raportimin përmes sistemeve të tyre. “Institucionet financiare duhet të krijojnë dhe mirëmbajnë sisteme që i mundësojnë raportimin e të dhënave siç përcaktohet në nenin 8 të këtij ligji, çdo ditë, brenda ditës së punës, pas përfundimit të operacioneve me mbajtësit e llogarisë bankare ose kasetave të sigurisë” thuhet në pikën 1 të nenit 9 .
Po kështu institucionet financiare i raportojnë të dhënat në mënyrë elektronike, duke përdorur mekanizmin qendror të automatizuar, sipas formatit të skedarit të kërkuar për tu përfshirë në regjistër, pa bërë asnjë ndryshim në të dhëna.
Raportimi i parë i institucioneve financiare duhet të përfshijë edhe të dhënat për llogaritë bankare apo kasetat e sigurisë të mbyllura 5 vitet e fundit. Informacioni i administruar nga Regjistri ruhet i plotë për 10 vjet nga mbyllja e llogarisë bankare apo kasetës së sigurisë.
Akses tek të dhënat e regjistrit do të kenë disa institucione duke nisur nga Tatimet që janë institucioni që i administron për të vijuar me Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Shërbimin e Informativ Shtetëror. Po kështu edhe disa autoritete të tjera si Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar apo Policia e Shtetit.
Çfarë do raportohet për individët dhe bizneset
Lidhur me llogaritë individuale projektligji parashikon disa të dhëna që do të ruhen si :
- a) emrin dhe mbiemrin e mbajtësit/mbajtësve të llogarisë bankare ose individit i cili ka apo i është vënë në dispozicion kaseta e sigurisë;
- b) kur është llogari bankare, numri i llogarisë bankare dhe kodi IBAN i llogarisë;
- c) kur është një kasetë sigurie, numri i identifikimit ose kodi identifikues i saj;
- d) emri i institucionit financiar që mban llogarinë bankare ose kasetën e sigurisë;
- e) datëlindjen dhe vendin e lindjes së mbajtësit të llogarisë bankare ose qiramarrësit të kasetës së sigurisë;
- f) shtetësia e mbajtësit të llogarisë bankare ose qiramarrësit të kasetës së sigurisë;
- g) adresa e përhershme e mbajtësit të llogarisë bankare ose qiramarrësit të kasetës së sigurisë;
- h) emrin, mbiemrin, datëlindjen, shtetësinë dhe adresën e përhershme të çdo personi që vepron në emër të mbajtësit të llogarisë bankare ose qiramarrësit të kasetës së sigurisë;
- i) emrin, mbiemrin, datëlindjen, shtetësinë dhe adresën e përhershme të çdo individi që ka përfitim në llogari dhe/ose që është person i lidhur me mbajtësin e llogarisë, kasetat e sigurisë ose qiramarrësit e tyre;
- j) numrin personal të identifikimit për shtetasit e Republikës së Shqipërisë, si dhe ekuivalentin e tij për shtetasit e huaj, nëse ka;
- k) statusin e llogarisë bankare ose kasetës se sigurisë;
- l) datën e hapjes së llogarisë bankare ose kasetës së sigurisë;
- m) nëse llogaria ose kaseta e sigurisë është mbyllur, data e mbylljes; dhe
- n) numri dhe lloji i dokumentit të identifikimit të vlefshëm të përdorur në institucionin financiar
/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/