Emërimi i Liburn Aliut në krye të Autoritetit Portual Durrës ka ndezur debate të forta, duke u shndërruar në një tjetër simbol të mënyrës se si qeveria e Edi Ramës trajton pikat më strategjike të vendit. Nga aeroportet te portet, nga energjia te pasuritë publike, gjithçka duket se përfundon në duart e një rrethi të ngushtë oligarkësh që funksionojnë si prestanome të pushtetit. Këtë herë, drejtimi i portit më të madh të Shqipërisë i është besuar një personazhi të kontestuar politikisht në Kosovë dhe të cilin shumëkush e konsideron si “njeriun më të korruptuar të Vetëvendosjes”.
Fatmir Merkoçi ishte i pari që reagoi publikisht, me tone të ashpra e ironike, duke e quajtur emërimin një tallje me institucionin dhe me sigurinë kombëtare. “Ore është e turpshme që të vijë drejtori i portit një njeri që nuk di not. Ai nuk di not jo më të bëhet drejtori i portit. Një kosovar, të vijë këtu të bëhet drejtori i portit. Pika strategjike e Shqipërisë. Është siguria kombëtare. Ai nuk di asgjë, nuk e njeh fare. Ai qoftë i shkëlqyeshëm në shkollë, sido që të jetë, ai nuk njeh terrenin”, tha Merkoçi, duke theksuar se vendime të tilla mund të dëmtojnë rëndë administrimin e një infrastrukture që lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen dhe ekonominë e vendit. Ai shtoi se “të gjitha marrëzitë e këtij shqiptarët do t’i paguajnë”.
Reagimi i tij pasoi njoftimin zyrtar të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila prezantoi publikisht Aliun si drejtor të ri të Autoritetit Portual Durrës. Balluku e përshkroi atë si “arkitekt me karrierë të gjatë politike në Kosovë”, duke theksuar se e kishte njohur “në punë, vite më parë, kur drejtonte Ministrinë e Mjedisit”. Por përtej frazave formale, ky emërim ka hapur një sërë pikëpyetjesh: pse Rama zgjedh sërish figura të dështuara politike nga Kosova për t’u dhënë poste kyçe në Shqipëri?
Në fakt, rasti i Liburn Aliut është më shumë se një çështje emërimi. Ai përfaqëson një prirje të përsëritur të kryeministrit shqiptar për të dorëzuar nyjet strategjike të vendit në duart e njerëzve me probleme politike ose interesa të errëta. Nga aeroporti i Rinasit te porti i Durrësit, nga koncesionet e energjisë te projektet e ndërtimit, modeli është i njëjtë: oligarkët që shfaqen si sipërmarrës janë në fakt fasadë për pushtetin, ndërsa siguria kombëtare bie në hije përballë interesave financiare.
Por kush është Liburn Aliu? Ish-themelues i Lëvizjes Vetëvendosje dhe për vite njeriu më i afërt i Albin Kurtit, ai u la jashtë Kryesisë së partisë dhe humbi çdo pozicion drejtues pas përplasjeve të brendshme. Deputetët e Vetëvendosjes e kanë akuzuar publikisht për mungesë parimesh, për lidhje me oligarkë dhe për ndryshim të qëndrimeve lidhur me legalizimin e ndërtimeve pa leje. Dimal Basha, Haki Abazi dhe Enver Haliti, të gjithë nga VV, e kanë kritikuar hapur në Kuvend për “amnisti ndaj mafies së betonit”, ndërsa Kurti, sipas raportimeve në Prishtinë, e ka akuzuar se “po qëndron shumë me oligarkë”.
Një raport i gazetës “Nacionale” kishte zbuluar se ndaj një këshilltari të afërt të Aliut ishin hapur hetime për aferën “Jaranat e Liburnit”, ndërsa vetë ministri ishte përfshirë në një skandal që e kishte ndarë kampin e Vetëvendosjes në dy grupe – atë të tij dhe të Besnik Bislimit. Një sondazh publik e kishte renditur Aliun si ministrin më të përfshirë në korrupsion në qeverinë Kurti, me 59 për qind të votave të qytetarëve që morën pjesë. Edhe opozita në Kosovë kishte kërkuar dorëheqjen e tij, me deputeten Eliza Hoxha që e akuzonte për “përpjekje për të amnistuar protagonistë të abuzimeve me ndërtimet”.
Në këto rrethana, fakti që Edi Rama zgjedh pikërisht këtë figurë për të drejtuar portin më të rëndësishëm të vendit ngre pyetje serioze mbi kriteret e përzgjedhjes dhe motivet politike pas tyre. Në vend që të mbrojë interesat e shtetit, qeveria shqiptare duket se po i dorëzon ato tek njerëz të diskredituar, të afërt me pushtetin ose të përdorshëm për qëllime të tjera. Nëse “Liburni që s’di not” do të arrijë të drejtojë portin apo do të fundosë edhe njëherë besimin publik në administratën shtetërore, mbetet për t’u parë. Por ajo që dihet me siguri është se Rama vazhdon të trajtojë infrastrukturën strategjike të Shqipërisë si pronë private dhe qytetarët janë ata që do ta paguajnë faturën.








