Lëkundje të forta tërmeti në veri të vendit, ndihen edhe në Tiranë

Lëkundje të forta tërmeti janë regjistruar në Shqipëri pak më parë, me epiqendër në veri të vendit. Lëkundjet janë ndjerë dhe në Lezhë, Shkodër e Tiranë, ndërsa thellësia e tërmetit ka qenë pesë km.Nga të dhënat paraprake të EMSC mësohet se tërmeti ka qenë me magnitudë 4.7 i shkallës Rihter dhe epiqendra ka qenë në Malësi të Madhe. Deri tani nuk është raportuar për dëme të mundshme materiale, ndërsa edhe në orët e para të mëngjesit janë regjistruar gjithashtu disa goditje tërmeti.
Kujtojmë se vendi ynë u godit nga një tërmet i fortë në orët e para të mëngjesit në 26 nëntor të vitit 2019 dhe ende njerëzit nuk e kanë harruar panikun që kanë përjetuar.
Si pasojë e tërmetit tragjik të 26 nëntorit humbën jetën 51 persona dhe u plagosën më shumë se një mijë të tjerë. Dy zonat që u prekën më shumë ishin Durrësi e Thumana, ku pati edhe më shumë viktima e ndërtesa të shkatërruara. Lëkundjet u ndjenë po ashtu në qytete të tjera e në kryeqytet. Tërmeti i fuqishëm i shkallës 6.4 që u ndje në orët e para të mëngjesit la shumë persona të pastrehë dhe me procesin e rindërtimit ende në vazhdim, shumë prej tyre janë ende pa një shtëpi.