Skip to content
Të Gjitha

Lajmi i mirë nga Infektivi, 80-vjeçarja nga Durrësi fiton luftën me koronavirusin

· 2 min lexim

Shqipëria po vijon luftën me COVID-19, ku deri më tani numërohen 212 të prekur, mes të cilëve 40 të shëruar dhe 10 viktima.

Në spitalin Infektiv ndodhen 76 persona, 6 prej të cilëve në terapi intensive, ku 4 prej tyre janë intubuar.

Nga Infektivi ndërkohë ka ardhur edhe një lajm i mirë, për një paciente 80-vjeçare.

Kryeministri Edi Rama në një postim të disa orëve më parë, ka dhënë lajmin se nënë Haxhireja nga Durrësi u shërua.

“Lajmi i mirë, nënë Haxhireja nga Durrësi, plot 80-vjeç u shërua”, shkruan Rama, teksa ka postuar edhe një foto të të moshuarës që fitoi luftën me COVID-19.

Durrësi numëron 12 të prekur nga koronavirusi, mes të cilëve edhe një viktimë.

Qyteti bregdetar është i treti për numër të prekurish nga COVID-19, pas Tiranës me 121 dhe Fierit 22.

Në përditësimin e të dhënave ditën e djeshme nga Ministria e Shëndetësisë, hartës së qyteteve të prekura i është shtuar edhe Mirdita.

Autoritetet vijojnë me thirrjet për kufizimin e lëvizjeve dhe respektimin e distancimit social e rregullave të higjienës.

Që prej ditës së sotme, qytetarët duhet të aplikojnë për leje tek portali e-albania për të dalë nga shtëpia për të bërë pazar, ku brenda 24 orëve lejohet vetëm një anëtar i familjes.