Skip to content
Të Gjitha

Lajm i mirë nga Infektivi, rritet numri i të shëruarve nga COVID-19

· 1 min lexim

Tetë pacientë të tjerë kanë fituar betejën me COVID-19.

Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook.

Tashmë bilanci shkon në 52 të shëruar dhe 12 viktima, nga 223 të prekur në total.

Viktima e 12-të ishte një 82-vjeçare nga Tirana, e cila vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese, si hipertensioni apo astma bronkiale.

Ajo ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme dhe bëhet me dije se po trajtohej te Infektivi prej 5 ditësh, ndërsa 2 ditët e fundit gjendja e saj ishte përkeqësuar.

Në spitalin Infektiv aktualisht ndodhen 74 persona, 6 prej të cilëve në terapi intensive, ku 4 janë intubuar.

Pjesa tjetër e pacientëve janë të shtruar në pavion, në gjendje të stabilizuar.

Epiqendra e koronavirusit në vendin tonë është Tirana, me 124 raste, e ndjekur më pas nga Fieri me 23 raste dhe më pas Durrësi e Korça me nga 14 raste.

Autoritetet shëndetësore, vijojnë me thirrjet për respektimin e higjienës, distancimit social dhe kufizimin e daljeve nga shtëpitë.