Hungaria dhe Polonia bllokojnë paketën e rimëkëmbjes së BE-së prej COVID-19, pasi kundërshtojnë klauzolën e sundimit të ligjit
Kryeministri hungarez Viktor Orban iu deklaroi gazetarëve gjatë një konference shtypi, pas një takimi të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian në Bruksel, se Hungaria dhe Polonia kanë vënë veton për paketën e rimëkëmbjes nga koronavirust në BE prej trilionë eurosh sepse ato kundërshtojnë lidhjen e aksesit në paratë e Brukselit me respektimin e ligjit nga shtetet.
Zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs i tha Euroneës se ndryshimet e fundit në propozimin e vendosjes së kushtit të sundimit të ligjit është një “shantazh politik”.
Ai shpjegoi se qeveria hungareze nuk e kishte ndryshuar qëndrimin e saj dhe se propozimi i fundit nuk përfshinte “kritere objektive”.
Komisioneri i Buxhetit i BE-së, Johannes Hahn shkroi në Twitter se ai ishte ‘zhgënjyer’ dhe u kërkoi vendeve anëtare të ‘merrnin përgjegjësi politike’ dhe të finalizonin paketën.
“Kjo nuk ka të bëjë me ideologji, por me ndihmë për qytetarët tanë në krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore,” shtoi ai.
Të hënën pasdite, ambasadorët e BE u takuan në Bruksel për të diskutuar propozimin aktual, i cili ka ngritur shqetësime nga të dy qeveritë në Budapest dhe Varshavë.
Të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje me Brukselin në vitet e fundit për problemet me demokracinë dhe reformën në drejtësi.
Bisedimet mbi buxhetin afatgjatë (2021-2027) – të cilat përfshijnë Parlamentin Evropian, Këshillin dhe Komisionin – vijnë midis një mosmarrëveshjeje të gjatë mes vendeve dhe eurodeputetëve në lidhje me shpenzimet dhe respektimin e shtetit ligjor.
Pas shumë grindjesh, në korrik, udhëheqësit evropianë më në fund ranë dakord mbi shumën që BE mund të shpenzojë gjatë shtatë viteve të ardhshme. Kjo ishte vendosur në 1.8 trilionë euro – nga të cilat 750 miliardë euro janë për fondin e rimëkëmbjes prej koronavirusit.
Pjesa tjetër e parave, 1.074 trilionë euro, përbën buxhetin afatgjatë të BE-së, i njohur gjithashtu si Kuadri Financiar Shumëvjeçar.
Eurodeputetët insistuan që transferimet e fondeve të kushtëzohen nga respektimi i vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Sipas mekanizmit të ri, vendet individuale të BE mund të humbasin veton e tyre dhe t’u shkurtojnë fondet, nëse shumica e vendeve të tjera anëtare mbështesin një veprim të tillë.
Javën e kaluar, palët negociuese të BE arritën një marrëveshje në mënyrë që të ecnin përpara me procesin me qëllim për të shpërndarë fonde për ekonomitë e goditura nga Covid në BE deri në janar 2021.
Sidoqoftë, Hungaria dhe Polonia shprehën kundërshtime ndaj marrëveshjes.
“Ne nuk e kemi ndryshuar qëndrimin tonë për këto çështje,” i tha Kovacs Euronews. Ai pohoi se përgjegjësia për buxhetin e bllokuar qëndron te “ata që kanë krijuar situatën në të cilën ndodhemi tani”.
“Ky rrezik po shkaktohet nga parlamenti Evropian dhe presidenca gjermane,” shtoi Kovacs.
Për Kovaç, nëse BE dëshiron të shtojë kushte të reja në financimin e BE, duhet të kërkojë një ndryshim të traktatit.
Daniel Freund, një eurodeputet gjerman dhe negociatori i Partisë së Gjelbër, vuri në dukje se pasojat janë të mëdha kur bëhet fjalë për bllokimin e buxhetit.
“Ka mijëra ndërmarrje të vogla që janë në prag të falimentimit, që janë duke pritur për këto para. Miliona qytetarë janë duke pritur për këto para. Ne nuk kemi shumë kohë.
“Orbán po mban peng të gjithë BE-në, të gjithë reagimin ndaj krizës ekonomike. Dhe jo për të luftuar për ndonjë kuptim, por për të vazhduar vjedhjen e fondeve të BE për përfitimet e tij personale,” shtoi ai.
Krerët e BE do të takohen më tej përmes videolinku të Enjten. Presioni do të jetë mbi Kancelaren Gjermane e cila kryeson presidencën e radhës të BE-së, për të gjetur një rrugëdalje nga bllokimi.
Nesër diskutohen, edhe negociatat me Shqipërinë.
Njw video konferencë e ministrave të çështjeve evropiane do të mbahet të martën më 17 nëntor
Konferenca do të drejtohet nga Roth, Ministri Gjerman i Shtetit për Evropën. Ministrat do të zhvillojnë një debat mbi dialogun vjetor të sundimit të ligjit dhe do të vlerësojnë situatën në veçanti në shtet anëtare.
Ndërkaq, Presidenca gjermane do të informojë ministrat në lidhje me gjendjen e negociatave të pranimit në BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë. Nuk pritet të ketë ndonjë vendim, duke qenë se Bullgaria ka deklaruar bllokimin e negociatave me Maqedoninë dhe akoma nuk ka zgjidhje mes palëve, po ashtu edhe Holanda ka paralajmëruar “jo” për Shqipërinë.
Qeveria Holandeze ka nënvizuar rëndësinë e krijimit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, ndryshimin e ligjit për median sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe vazhdimin e punës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Fondet për Ballkanin
Gjatë seancës publike, presidenca do t’i informojë ministrat për kornizën financiare shumëvjeçare dhe paketën e rimëkëmbjes..
Mosmiratimi i buxhetit për periudhën 2021-2027 ngre probleme edhe për dhënien pakos financiare prej 9 miliardë eurosh që Bashkimi Europian ka premtuar për projekte infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor. Një pjesë e këtyre fondeve i janë premtuar Shqipërisë për të vazhduar axhendën e konektivitetit. Takimi i ambasadorëve të 27 vendeve anëtare e pati të pamundur t’i ndezë dritën e gjelbër pakos sepse dy vendet, Hungaria dhe Polonia përdorën të drejtën e tyre të vetos.
/TPZ.al/