Laboratori i Spitalit Shkodër jepet me PPP, drejtori qetëson punonjësit: Nuk do të pushoheni!

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Brenda disa muajve të gjithë laboratorët e analizave në spitale i kalojnë koncesionarit PPP dhe kjo ka krijuar shqetësim tek laborantët. Drejtori i Laboratorit të Shkodrës, Ardian Dajti, thotë se lajmi se 25 punonjës të këtij laboratori do të shkarkohen, pasi ai të privatizohet, është i pavërtetë. Sipas tij, laboratori do privatizohet, por punonjësit do mbeten në punë.

Dajti ka siguruar mjekët dhe të gjithë punonjësit e laboratorit se asnjë prej tyre nuk do të largohet nga puna. Sidoqoftë, nuk ka një prononcim nga kompania koncesionare.

“Asnjë përfaqësues apo punëtor i angazhuar në çfarëdolloj cilësie mjek, laborant në laboratorin e Shkodrës nuk i është ndërprerë marrëdhënia financiare. Lajmi që lihen papunë punonjësit e laboratorit është i pavërtetë. Ne jemi në një proces që së shpejti do të fillojë privatizimi dhe dhënia me koncesion, por të gjithë punonjësve të laboratorit do t’u jepet mundësia që me punëdhënësin e ardhshëm të kenë mundësi për marrëdhënie pune.

Pra asnjëri nuk do të largohet nga koncesionari. Me këtë dua të shuaj frikën se disa punëtorë do ikin apo do largohen, e do zëvendësohen me disa të tjerë që s’kanë lidhje me punën”, ka thënë Dajti.

Koncesioni që ka marrë në dorëzim të gjithë laboratorët e spitaleve në vend, do të kushtojë rreth 13 miliardë lekë (afërsisht 95 milionë euro). Ai do të zgjasë 10 vjet, pra gati 10 milionë euro në vit.

Më 24 prill 2017, Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues të koncesionit të laboratorëve spitalorë në të gjithë spitalet e vendit bashkimin e kompanive Labopharma Sh.p.k (41,7 për qind), Exalab France (25 për qind) dhe AB Laboratory Solutions B.V (33,3 për qind) Hollandë, kjo e fundit përfaqësuar nga Labopharma sh.p.k.

Kompania koncesionare tha se ‘po transformonte’ të gjithë procesin e diagnostikimit në vend, përmes rehabilitimit të laboratorëve, futjes së aparaturave moderne dhe protokollit të ri të punës, që nga marrja e mostrave dhe deri te kompjuterizimi i çdo të dhëne.

Në muajin gusht, koncesionari mori nën administrim tre laboratorët kyçë të QSUNT-së; laboratorin Mikrobiologjik, atë të Imunologjisë si dhe shërbimin Klinik-Biokimik, të cilat iu nënshtruan rikonstruksionit. Ndërsa laboratori i COVID u vendos brenda ambienteve të shërbimit laboratorik të Mikrobiologjisë.

Koncesionari, sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë, do të ulë numrin llojeve të analizave, por për punonjësit nuk ka një plan të publikuar.

/Gazetareforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento