Kurti sulmon Ramën: Ne e hoqëm taksën 22 euro, ndërsa taksa për kosovarët qëndron aty

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ngritja e traut në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës është shoqëruar me disa problematika të theksuara, pasi qytetarët nga Shqipëria që kanë tentuar sot të udhëtojnë drejt Kosovës kanë hasur me kërkesa, të cilat kanë shkaktuar kaos dhe radhë në pikën kufitare.

Në Morinë janë ndaluar dhjetëra kamionë që kanë tentuar të transportojnë mallra dhe produkte, duke iu vendosur një tarifë prej 22 eurosh nga pala pritëse.

Sipas Policisë së Kosovës, kjo tarifë duhet të paguhet për dezinfektimin e kamionëve.

Kjo situatë ka sjell një reagim të kryeministrit Edi Rama, i cili ka hedhur akuza ndaj homologut të tij në detyrë, Albin Kurti.

Në një reagim në Twitter, Rama shkruan se ai ka 1 mijë të meta, por nuk gënjen.

Kurti nuk e ka vonuar kundërpërgjigjen ndaj Ramës dhe sonte i ftuar në “5 pyetje nga Babaramo” ai tha se qeveria e Kosovës e hoqi taksën 22 euro për dezinfektimin e kamionëve që hynin nga Shqipëria, por i kujtoi Rama taksën e Rrugës së Kombit, për të cilën thotë se vazhdon të qëndrojë aty.

Madje, sipas tij paratë nuk shkojnë për shtetin shqiptar, por për një koncesionar.

Më tej, ai tha se qeveria e Shqipërisë nuk u konsultua me qeverinë e Kosovës as kur i mbylli dhe as kur i hapi kufijtë.

“Ne nuk jemi konsultuar nga qeveria e Shqipërisë kur mbylli kufirin me Kosovën dhe as kur ta hape kufirin. Ne vendosëm mbrëmë që të hapim kufirin me Shqipërinë por me disa masa, që janë të nevojshme meqë pandemia nuk ka kaluar.  Me këtë rast dua të theksoj se ka qenë një vendim i vjetër i njërës prej ministrive, kur shpallën gjendjen e emergjencës që të bëhej dezinfektimi i maunave dhe ky vendim i vjetër është anuluar dhe nuk ka më nevojë për dezinfektimi. Ndërkohë trau vazhdon të jetë aty dhe të na marrë paratë, jo për shtetin, por për një koncesionar”, deklaroi Kurti.  

Ndërsa për deklaratën e presidentit Thaçi se qytetarët shqiptarë duhet të karantinohen për 7 ditë nëse hyjnë në Kosovë, Albin Kurti tha se kjo nuk është e vërtetë.

Sakaq, lidhur me çështjen e shkëmbimit të kyfijve të Kosovës me Serbinë, Kurti tha se askush nuk ka të drejtë që të diskutojë për territorin e Kosovës.

Megjithatë kreu i LVV-së, tha se nuk akuzon dot Ramën si të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë çështje të shkëmbimit të territoreve me Serbinë, por tha se miqtë e tij në Kosovë kanë qëlime të tjera.

“Nuk kam asgjë personale, por askush nuk ka të drejtë të flasë për territorin e Kosovës apo bëjë oferta me të për Serbinë madje edhe po u zgjuan dëshmorët nga varret, jo më politikanët e Kosovës apo Shqipërisë. Nuk them se Rama është i përfshirë në këtë, por miqtë e tij më të mirë në Kosovë janë përballë kësaj mënxyre‘, tha Kurti.

Sipas tij, Kosova ka dy armiq një të jashtëm që është Serbia që kërkon ndarjen e vendit dhe i brendshmi është korrupsioni dhe krimi në vend.

Ai tha se të gjithë shqiptarët duhet të bëhen bashkë dhe të kenë në qëndrim karshi Serbisë.

Shpërndaje
Share.

Komento