Kur ministri bëhet prokuror e gjykatës: Deklarata e pafalshme e Blendi Klosit pas arrestimeve në Vlorë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në valën e frikës e panikut për një përhapje të mundshme të koronavirusit në Shqipëri, një tjetër problematikë ka vënë në pikëpyetje punën e institucioneve shqiptare e titullarëve të tyre.

Bëhet fjalë për tragetin e bllokuar në Vlorë tre ditë më parë, me lëndë të dyshuara si të rrezikshme (lexo këtu).

Ditën e sotme, Gjykata e Vlorës ka lënë në burg pronarin e firmës së grumbullimit, Zamir Kornuzin, zëvendës kapitenin e tragetit “St Damian” Kujtim Xhaferllarin, shoferin e furgonit Arbër Çunin si dhe në arrest shtëpie janë lënë kapiteni i tragetit Festim Tafa dhe Elisabeta Çuni, administratorja e firmës së pastrimit ”Delfini 1” e cila dyshohet se është personi që i ka sjellë në Shqipëri këto lëndë, duke i kamufluar si produkte pastrimi kimik.

Por teksa përfaqësuesit e kompanisë italiane “St. Damian” pretendojnë se lëndët e gjetura në traget nuk janë të rrezikshme, i pari që ka dalë për të trumbetuar aksionin për bllokimin e lëndëve në fajlë ka qenë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Në një deklaratë që do të linte gojëhapur këdo që ka sadopak njohuri ligjore, fill pas operacionit, Klosi ka thënë për televizionin “Report TV”  se të arrestuarit ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

“Operacioni i organizuar dhe rendi, ministria e mjedisit, ishte njoftuar 24 orë para se trageti të mbërrinte në portin e Vlorës dhe ishin marrë të gjitha masat që të kapeshin në kushtet e flagrancës.

Për këtë arsye vlerësoj se nga të gjithë institucionet e përfshira nuk pati rrjedhje të informacionit, paçka se pjesa e vëzhgimit dhe hetimit i mbetet më tepër ministrisë së rendit.

Ngjarja është e rëndë.

Sa i përket informacionit, erdhi në rrugë operative dhe kjo është një punë që policia do e sqarojë në vazhdim. Kompanitë që kontrollojnë tragetet nuk ka.

Ajo që kërkohej nga grupi i strukturuar kriminal që të nxirrej kjo mbetje si mbetje e tragetit, e cila pastaj do të kalohej si diçka e thjeshtë, por policia ndërhyri dhe vepra u dokumentua dhe u kontrollua si duhet.”- është shprehur ministri i Turizmit dhe Mjedisit ditën e arrestimeve, i cili në euforinë për të promovuar punën e institucionit që drejton, dashur ose padashur mori përsipër dhe rolin e prokurorit e gjykatësit duke i etiketuar të arrestuarit si grup kriminal, ndërkohë që çështja është ende në hetim.

Për një gjë të tillë me siguri është penduar vetëm një ditë më pas, kur pas akt-ekspertimit, prokuroria doli në përfundimin se lëndët e gjetura në traget nuk kishin përmbajtje radioaktive dhe në rast se në fund të procesit gjyqësor të akuzuarit shpallen të pafajshëm, ministri i papërgjegjshëm i Turizmit dhe Mjedisit do të mund të gjendej në telashe të pakëndshme me kompaninë italiane “St. Damian”.

Megjithatë, në këtë çëshjtje ky është vetëm një ndër shqetësimet pasi teksa ditët kalojnë, nuk ka ende asnjë informacion nga autoritetet mbi rrezikshmërinë e lëndëve të gjetura në traget.

Deri më tani i vetmi informacion i bërë publik është ai i mungesës së radioaktivitetit, megjithatë kjo nuk përjashton mundësinë e pranisë së lëndëve të tjera kancerogjene si amianti që nuk ka përmbajtje radioaktive, por është i ndaluar të hyjë në Shqipëri për shkak të rrezikshmërisë tepër të lartë dhe mungesës së ekspertizës së vendit tonë për të trajtuar materiale të tilla.

Shpërndaje
Share.

Komento