Skip to content
Sociale

Kundër rritjes së çmimeve, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë (Foto)

· 2 min lexim

Ashtu siç ishte paralajmëruar, qindra qytetarë kanë dalë në protestë ditën e sotme para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kundër rritjes së çimeve.

Protesta u thirr në rrjetet sociale, pak ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi për krizën  që do të sjellë rritje të çmimeve, ndër to edhe çmimi i energjisë. Qytetarët janë mbledhur me pankarta në duar për të kundërshtuar këtë gjë dhe kërkojnë ulje të çmimeve për ushqimet e shportës dhe çmimit të ilaçeve.

Qytetarët janë shprehur se çmimet janë rritur në maksimum dhe se ata nuk mund t’i përballojnë. Ndërkohë, ata kanë bllouar bulevardin dhe u kanë bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që t’u bashkohen.

Kujtojmë se të dielën më 3 tetor, kryeministri Edi Rama doli në një deklaratë ku lajmëroi se Shqipëria do të preket nga kriza energjetike, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e tjera të botës. Rama tha se kjo do të shoqërohet edhe me rritje të çmimeve, ndërsa nuk paraqiti asnjë plan masash për të përballuar situatën e për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Ndërkohë, prej disa javësh çmimi i bukës në Shqipëri është rritur, ashtu si edhe çmimi i kafes e i produkteve të tjera. Po ashtu është rritur ndjeshëm edhe çmimi i karburanteve dhe pritet të rriten edhe çmimet e të tjera produkteve.