Kryeministri Rama tregon frigoriferët, mban akoma sekret vendin nga erdhi vaksina   

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryeministri Rama ishte i sigurt kur u vaksinua publikisht në stadiumin Air Albania, por tek të tjerët shpërndau pasiguri. Askush nuk e dinte se çfarë ishin ato vaksina, nga erdhën, si u transportuan, kush i certifikoi? Njerëzit kanë krijuar mungesë besimi sepse mbajtja sekret e vendit të origjinës të vaksinës ngre pikëpyetje mbi të gjithë procesin e vaksinimit. Dihet tashmë se ato ishin vaksina të kompanisë Pfizer, por është enigmë mbërritja e tyre.

Ka mungesë informacioni për çmimin që ka paguar qeveria ndaj kompanisë Pfizer apo mënyrës sesi mbërritën në Tiranë dozat e para të ardhura nga një vend i BE.

Cili është vendi i origjinës

Mediat e pyetën kryeministrin Rama për koston e një vaksine, por ai e mbajti sekret. “Vaksina Pfizer ka çmim unik për të gjitha vendet, nuk negocion asnjë vend dhe kompania nuk negocion me asnjë. është çmim unik, dhe konfidencial”, tha ai.

Po ashtu, ende nuk dihej se në çfarë kushtesh po mbahet vaksina, e për këtë Rama deklaroi se do të publikohen pamjet.

“Vaksinat janë aty ku duhet të jenë, në sistemin tonë ftohës. Pasnesër do të shfaqim edhe gjithë infrastrukturën ku mbahet vaksina”, deklaroi Rama, që duket se vetëm ai e di se çfarë po ndodh.

A mundet që ky informacion i cunguar të shkaktojë një refuzim të njerëzve për t’u vaksinuar.

Ka pasur shumë hamendje për vendin nga i solli Rama vaksinat. Njëri version ishte se vaksinat erdhën nga Greqia. Kujtojmë se disa ditë më parë, kryeministri Rama ishte në Greqi, ku takoi Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm.

Pak muaj më parë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka shprehur gatishmëri që Greqia të furnizojë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me vaksinën Covid-19 në mënyrë që të shpejtojë procesin e vaksinimit. Lajmi u bë me dije nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. “Mitsotakis shprehu gatishmëri që Greqia të kryejë furnizimin me vaksina për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Zaev.

Një version tjetër është se vaksinat erdhën nga Turqia, si dhuratë nga Erdogan bashkë me investimin e një spitali në Fier.

Një lajm tjetër që ka qarkulluar është se ky shtet i BE-së që dhuroi vaksinat ishte Austria, por që mbeti i pakonfirmuar. Po ashtu, Ambasada e Gjermanisë në Tiranë deklaroi se nuk kishte informacion që vaksinat Pfizer të ishin dërguar nga Gjermania.

Zhdoganimi sekret

Dokumentet e importit të vaksinës hedhin dritë mbi disa detaje. Rama e mban të fshehtë vendin dhurues të flakonëve, por në shkresa thuhet qartësisht se vaksinat janë të “Pfizer”, të prodhuara në Gjermani dhe të eksportuara nga fabrika e saj. Një tjetër detaj në dokumente përfshin edhe Italinë. Nga shiringat deri te lëndët e tjera përzierëse të vaksinës, por edhe aget, janë prodhim italian. Italia e kishte detyrim të ndihmonte Kryeministrin Rama, pas atij gjesti kur Shqipëria dërgoi dy grupe mjekësh dhe infermierësh të ndihmonin gjatë pandemisë.

Autorizimi i ISHP-së për importin e vaksinave bëhet, “në zbatim të Aktit Normativ me Nr.01, datë 10.01.2021”.

Vetë Rama, më 1 janar, ka njoftuar se “kemi dakordësuar blerjen e 500 mijë vaksinave nga ‘Pfizer’. 10.750 doza të vaksinës do vijnë në javën e tretë të janarit. 9 mijë doza do të na i sjellin 2 vende partnere në mes të janarit”.

“Sa i përket zhdoganimit, -Rama tha se,-procesi ka filluar ditën e premte dhe sot në orën 9 është kryer si proces për shkak të gjithë hapave që duheshin ndjekur, sepse vendi që na i ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet. Si t’ua shpjegoj këtë, në çfarë mënyre?”

“Kemi frigoriferë për 7 milionë doza”

I ndërgjegjshëm se mungesa e informacionit e ka bërë publikun skeptik, Kryeministri Rama ka vendosur të njohë publikun me hapat e tjerë të fushatës.

Kështu, ditën e sotme, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Rama ka vizituar ambientet e depos farmaceutike në QSUT dhe ISHP.

Rama është shprehur se depot janë sipas standardeve të BE-së. Ministrja Manastirliu theksoi se investimet janë bërë në kohë, ndërsa shtoi se kapacitetet tha se janë për të pritur 7 milion doza.

“Në depon moderne farmaceutike që kemi ndërtuar për spitalin, sipas standardeve të Bashkimit Europian, ku është ngritur edhe zinxhiri ftohës i vaksinave, si dhe në Institutin e Shëndetit Publik, ku ruhet aktualisht vaksina Pfizer?” shkruan Rama në postimin e tij.

Si çdo gjë tjetër, kryeministri Rama e ka personalizuar vaksinën dhe rrezikon që t’i ndajë njerëzit më dysh pro dhe kundër vaksinës thjesht në bazë të pikëpamjeve politike që kanë.

Në fakt, procesi i vaksinimit është një fushatë me rregulla që kërkon shumë transparencë.

Sa vaksina janë siguruar?

Sipas deklaratave, deri tani Shqipëria ka siguruar 1.4 milionë vaksina nga nisma Covax dhe 500 mijë nga Pfizer.

Kuvendi do të miratojë marrëveshjen me vaksinën Pfizer gjatë seancës parlamentare më 28 janar. “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, për prodhimin dhe furnizimin, nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V., dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik, dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anti-covid-19 në Republikën e Shqipërisë si dhe përdorimin e tyre në popullatë”, ky është projektligji i depozituar nga qeveria.

/Iconstyle.al/

Shpërndaje
Share.

Komento