Ditën e sotme Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka komentuar përplasjet e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. E ftuar në “Now” me Erla Mëhillin, Kryemadhi tha se Meta përplaset me të gjithë, madje dhe me atë vetë, gruan e tij, ndaj sipas saj, Kim duhet të jetë e lumtur që ka ndodhur kjo gjë. Ajo tregoi se Meta në mesazhet që i dërgonte kur ishte President, e quante ‘kec’ ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Assad, kryeministrin Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Kryemadhit:
Bënte sikur Ilir Meta ishte anti-amerikani i madh. Ilir Meta ka pasur përplasje me çdo njeri. Me mua më shumë se me këdo tjetër. Yuri Kim duhet të jetë e lumtur për përplasjet që ka pasur me Ilir Metën. Pse? Sepse në gjërat e veta ai mund të ketë shumë të drejtë. Mua nuk do të ma harrojë derisa të vdes djegien e mandateve. Dhe kjo është zgjedhja e tij, unë e kam marrë vendimin tim, ai të vetin. Pse? Sepse ai është i bindur që djegia e mandateve ishte skenari më i poshtër shkatërroi Shqipërinë. Duke pasur parasysh gjithçka. E kam në mesazhe, nuk e fshi vetëm për këtë arsye. Me këtë kec do mundni Ramën ju? Për Lul Bashën. Assadi thotë, se Ramës i thotë Assad, nuk pyet fare as për Evropën, as për askënd. Ai do të vazhdojë punën e tij. Me atë kec që keni ju në krye të Opozitës thotë. E ka thënë ai gjithmonë, me këtë kec do e mundni Ramën ju? Ia ka thënë kryetares së partisë këtë gjë. Ne jemi të dy për filma Hollywood-i, burrë e grua.
Përplasjet mes Metës dhe Kim ndodhën gjatë kohës kur kreu i Partisë së Lirisë ishte ende President. Pasi Meta deklaroi se do t’i pritej dora kujtdo që prekte votën dhe se do të merrnin sfurqet për të dalë në shesh, Kim e konsideroi të papranueshme një deklaratë të tillë. Kjo mori dhe një kundërpërgjigje nga vetë ish-Kreu i Shtetit, i cili tha më tej se Amerika po të donte, e dërgonte tek Mali me Gropa dhe e vriste.