Bashkimi Evropian i ka dhënë 15 milionë euro grante Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të luftuar koronavirusin.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Delegacioni i BE thekson se kjo shumë do të shkojë për bizneset e goditura nga pandemia.
Ndërsa vetë ambasadori Luigi Soreca deklaron se kriza e koronavirusit është shumë larg përfundimit.
Postimi i plotë
Më shumë lajme të mira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor!
15 milion Euro grante nga 🇪🇺 #BE për bizneset e goditura në vështirësi për të mbijetuar, 💪 forcimin e qëndrueshmërisë – dhe krijimin e kushteve për një rikuperim të qëndrueshëm.
“Kriza e COVID-19 është shumë larg përfundimit. Në botë dhe në Ballkanin Perëndimor. Komisioni Evropian 🇪🇺dhuron një shtesë prej 15 milion € për rajonin. Bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri 🇦🇱 së shpejti do të përfitojnë nga këto grante të Bashkimit Evropian 🇪🇺, përveç 230 milion € tashmë të alokuara për Shqipërinë dhe që po investohen aktualisht,” tha Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca.
Ndërkohë që edhe më parë Bashkimi Europian ka akorduar ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër COVID-19. Më parë BE dha 50 milionë euro për vendin tonë, ku 4 mln € për pajisje dhe mbështetje shëndetësore, 11 mln € për mbrojtjen sociale dhe deri në 35 mln € për rimëkëmbjen ekonomike.