Para një jave një krim i dyfishtë në Roskovec të Fierit tronditi të gjithë opinionin publik
Vjehrri, Xhevahir Hoxha vrau me thikë bashkëjetuesen e djalit, shtetasen Merushe Hazizi, 30 vjeçe dhe më pas është vetëvrarë duke u varur në një pemë afër banesës së tij. Historia e Fatjon Hoxhës dhe Merushe Hazizit nisi 4 vite më parë. Të dy të martuar, por siç konfirmon djali në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, në “News 24”, kishin probleme me partnerët.
Fatjoni rrëfeu se punonte si taksi dhe një ditë gjatë ushtrimit të detyrës do të shkonte në shtëpinë e bashkëshortit të Merushes. Aty njihet me të, shkëmbejnë numrat dhe kështu nisi historia e tyre. I riu tregoi se pas këtij momenti, kanë dalë për të pirë kafe dhe janë njohur më shumë me njëri-tjetrin. Fatjoni rrëfeu gjithashtu, momentin e ndarjes nga bashkëshortja.
Ai tha se ish-gruaja e dinte për lidhjen e tij me Merushën dhe një ditë, teksa ndodhej në shtëpinë e prindërve për disa ditë, zgjodhi që të mos kthehej më në banesë. Fatjoni thotë më pas se ish-gruaja u martua me një djalë nga Durrësi, të cilin ia njohu e motra.
“Kisha 4 vite, kam shkuar në shtëpinë e saj. Ishte e martuar, s’i kishte punët mirë. Shkëmbyem numrat e telefonit, dolëm për kafe. Ish-gruaja ime kishte njohje me Merushen. Divorci me gruan, unë kisha lidhje me Merushen, e dërgova te prindërit për 3-4 ditë. Ajo nuk erdhi më, e lidhi motra me një tjetër nga Durrësi. Ajo e dinte që kisha lidhje me Merushen. E lashë në një dhomë, ai kishte hyrë nga dritare. Ajo tha mendova se ishe ti, kishte fikur sahatin e dritave dhe ishte hedhur nga dritarja në dhomë. E kishte ngacmuar, ndeza blitzin dhe i thashe dil jashtë më tregoi Merushja. Po i the gjë Fatjonit i kishte thënë do të ve teken në gojë, do të vras. Ja kishte thënë mamasë time këtë gjë, ajo ma tha në mëngjes”, u shpreh Fatjoni.