Kreditë që nuk kthehen në afat kanë shënuar rënie të fortë në muajin qershor, duke zbritur në 7.12% të totalit të portofolit, nga 7.8% muajin e mëparshëm. Në krahasim me qershorin e një viti më parë, treguesi është ulur me gati një pikë përqindje.
Në qershor, niveli i kredive me probleme arriti në nivelin më të ulët që nga viti 2008, kur ky treues ishte mesatarisht 6.5%. Më pas, përshpejtimi i kredisë për ekonominë nxiti dhe nivelin e lartë të kredive me probleme, që kulmoi në gati 25% në vitin 2014.
Rritja e huave të pakthyera në afat nxiti Bankën e Shqipërisë që të ndërmarrë një sërë masash për uljen e tyre, ku më e rëndësishmja ishte ristrukturimi i huave të mëdha, shkruan Monitor.
Kriza e shkaktuar nga pandemia, ndërkohë nuk ndikoi në përkeqësimin e këtij treguesi, që u arrit të mbahej nën kontroll. Në fillimet e pandemisë, Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%. Një gjë e tillë nuk ndodhi, edhe falë masave të përkohshme që banka qendrore miratoi për t’iu mundësuar bankave të ristrukturonin kreditë, pa përkeqësuar statusin e kredimarrësve.
Më tej, mosmarrja e masave të rrepta kufizuese për menaxhimin e pandemisë bëri që efektet në ekonomi dhe në sektorin bankar të krizës të shfaqeshin të kufizuara.
Situata e bizneseve shfaqet e përmirësuar, duke rritur aftësinë e tyre paguese. Indeksi i besimit të bizneseve në muajin korrik arriti në nivelin më të lartë të katër viteve të fundit, sipas të dhënave të tjera të Bankës së Shqipërisë. Përmirësimi erdhi nga të gjithë sektorët, industria, tregtia, shërbimet, ndërtimi.