Skip to content
Të Gjitha

Koronavirusi/ Projekti 40 mln USD për spitalet i vitit 2015, do të shtyhet për në fund të…

· 3 min lexim

Situata e pandemisë ka prekur sidomos projektet e lidhura me shëndetësinë dhe një raport përmbledhës i Bankës Botërore, për ecurinë e projektit 40 milionë USD të miratuar në vitin 2015, tregon se është bërë disburismi vetëm i 8.2 milionë dollarëve.

Në dokumentin e përgatitur nga grupi i ekspertëve thuhet se ngadalësimin fillestar në këtë projekt e dha fillimisht tërmeti i 26 nëntorit dhe kjo ndodhi kur avancimi me ritme më të mira sapo kishte nisur, ndërkohë që pandemia e ka ngadalësuar dukshëm.

Sipas kalendarit në fuqi, projekti mbi shëndetësinë i mbështetur nga Banka do të duhej të mbyllej në 28 shkurt 2021 por kjo ka pak gjasa të ndodhë. Ndaj data e re e propozuar është ajo e fundit të vitit 2022.

“Data e mbylljes do të zgjatet nga 28 shkurti 2021 në 31 dhjetor 2022. Kjo do të ishte shtyrja e parë e datës së mbylljes së projektit për një periudhë prej 22 muajsh përtej datës origjinale të mbylljes.

Rishikimi i kostove të projektit do të mundësojë financimin e nevojshëm të aktiviteteve. Disa prej aktiviteteve nën komponentin 1 do të financohen nga burime alternative të Ministrisë së Shëndetësisë ose do të hiqen nga zbatimi si efekt i kërkesës së palëve”,- thuhet në dokument.

I njëjti vlerëson se menaxhimi i volumit të recetave të testeve laboratorike, kufijtë vjetorë të buxhetit spitalor dhe tarifat për Pagesën e Performancës së Shërbimit si aktivitete do të mbështesin programin e Qeverisë për të përmirësuar performancën e sistemit të kujdesit shëndetësor, duke u përqendruar në cilësinë e shërbimeve të ofruara në spitalet publike.

Asistenca teknike do të mbështesë Qeverinë që të zhvillojë kapacitetin e ministrisë dhe spitaleve për të adresuar në mënyrën e duhur rrezikun e keqpërdorimit/përdorimit të tepruar të testeve laboratorike.

“Rikonstruksioni në Spitalin e Laçit. Ky aktivitet do të mbështesë rindërtimin e një spitali që është dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe nuk mund të funksionojë në gjendjen aktuale, duke penguar kështu marrjen e shërbimeve cilësore, veçanërisht në një kohë kur spitalet funksionale janë thelbësore për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19.

Spitali i Laçit është një spital rajonal mes dy autostradave kryesore në vend dhe është një objekt kritik për të trajtuar emergjencat. Kështu, rikonstruksioni i menjëhershëm i Spitalit të Laçit mbetet i domosdoshëm për të rifilluar shërbimet mjekësore për pacientët.

Konkretisht, ky aktivitet do të mbështesë rindërtimin e spitalit në të njëjtin vend, përfshirë objektet për përmirësimin e spitalit infrastrukturën dhe funksionalizimin e shërbimeve mjekësore të tij”,- vlerëson BB.

Projekti i përmirësimit të sistemit shëndetësor u miratua nga BB në vitin 2015 dhe përfshin tre komponentë ku së pari përmirësimin e menaxhimit në sektorin e spitaleve publike dhe infrastrukturës.

Së dyti përmirësimin e menaxhimit të informacionit shëndetësor për shërbimet spitalore dhe së treti monitorimin vlerësimin dhe menaxhimin e projektit. Të tre këto komponentë kanë një kosto totale financimi 40 milionë USD.

/Burimi: BB/GazetaReforma.com/