Konferenca e Donatorëve, Italia dhe Franca “hapin thesin”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në Bruksel po zhvillohet Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë, e thirrur nga presidentja e Komisionit Europian, Urusula Von Der Leyen.

Në faturën e prezantuar nga shteti shqiptar në BE, dëmet llogariten në shifrën e 980 milion euro, ndërsa rindërtimi kërkon 1.08 miliardë euro.

Përpos 15 milion eurove të dhuruara menjëherë pas tërmetit, Komisioni Europian ka alokuar edhe 100 milion euro të tjera për Shqipërinë.

Që në fillim të Konferencës, kryeministri Edi Rama tha faleminderit në 12 gjuhë të botës, ndërsa u kërkoi vendeve europiane mbështetje financiare.

Thirrjes së shefit të qeverisë shqiptare iu përgjigjën shumë shtete.

Kroacia dhuroi 1 milion euro, Britania e Madhe 1 milion paund, për të vazhduar më tej me Suedinë e cila dhuroi 6.5 milion euro.

Më bujare u treguan vende si Gjermania dhe Franca, të cilat i dhuruan Shqipërisë përkatësisht 11 milion dhe 100 milion euro.

Franca deklaroi se do të japë gjithashtu 60 milion euro hua për të rindërtuar sistemin ujor të vendit tonë.

Holanda dhe Danimarka ndërkohë dhuruan nga 3 dhe 2 milion euro respektivisht, të ndjekur nga 2.7 milion euro të Polonisë dhe 2.5 milion euro të Greqisë, shto këtu edhe ndërtimin e 200 shtëpive dhe ekspertizën në fusha të ndryshme.

Sllovakia mendoi për ndërtimin e objekteve arsimore, në kuadër të së cilës dhuroi 250 mijë euro, linjën e së cilës e ndoqi edhe Republika Çeke me 380 mijë euro.

250 mijë euro ishte kontributi i  Hungarisë për ndërtimin e kishave katolike, pasuar nga 420 mijë eurot e Rumanisë.

Një shumë modeste prej 100 mijë eurosh kanë dhuruar Bullgaria dhe Luksemburgu.

Përsa i përket fqinjëve, Italia u tregua mjaft bujare, duke dhuruar 65 milion euro, Maqedonia e Veriut 6 milion dinarë, Bosnje Hercegovina 100 mijë marka dhe Serbia 2 milion euro.

Aleati ynë ndërkohë Turqia, që ndihmoi Shqipërinë me burime njerëzore dhe teknike që në ditët e parë të tërmetit, ka dhuruar në total 46.3 milion euro, ndërsa ka deklaruar se do të ndërtojë 500 shtëpi.

Kosova ndërkohë që iu gjend pranë Shqipërisë që në orët e para pas tërmetit ka dhuruar 200 mijë euro, ndërsa ka ofruar ndihmën teknike kurdo që të jetë nevoja.

Prapa nuk mbeten as bankat islamike, të cilat do të dhurojnë 365 milion euro në formë programesh.

Ndërkohë gjatë orëve të fundit, Japonia ka dhuruar 2.5 milion euro në formën e granteve, Zvicra 9 milion euro dhe Banka Europiane e Investimeve 2.5 milion euro.

Emiratet e Bashkuara Arabe do të dhurojnë 70 milion euro, SHBA 4.7 milion dollarë, 2,1 milion euro Norvegjia, Azerbajxhani dhe UNICEF 500 mijë euro, dhe Republika e Koresë 300 mijë dollarë.

Shpërndaje
Share.

Komento