PPP-ja e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për spitalet shtetërore, e cila u dha nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, një kompanie private dhe që u kushton shqiptarëve më shumë se sa gjermanët, është rinegociuar.
Ministria e Shëndetësisë e ka përmbyllur procesin e rinegocimit me kompaninë “Sani Servise”, të biznesmenit nga Kosova Ilir Rrapaj, që zotëron koncesionin e sterilizimit, me qëllim që të ulë kostot e pagesave të buxhetorëve.
Këto të fundit kishin kaluar parashikimet në kontratë për shkak se, numri i operacioneve të zhvilluara në spitale ishte më i lartë se parashikimet.
Ministria e Financave bëri të ditur se, pas negociatave u ra dakord me koncesionarin që për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji, të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit.
Zbritja do të aplikohet duke filluar nga fatura përmbledhëse mujore për muajin në të cilin do të rezultojë dhe do të njoftohet nga koncesionari, tejkalimi i 63,000 ndërhyrjeve në vit.
Në bazë të të dhënave të raportuara, lidhur me aktivitetin e financimit të kësaj kontrate, numri i ndërhyrjeve dhe vlera e rimbursuar e këtij shërbimi, ka ardhur në rritje ndër vite.
Shtimi i kostove artificialisht
Kompania “Sani Servise”, me pronar zyrtar Ilir Rrapaj, e cila shqiptarëve ju bë “peshqesh” nga PPP-të e famshme të ish-ministrit Ilir Beqaj, vit pas viti i ka rritur kostot e shërbimeve të saj, duke ua kaluar edhe vendeve më të zhvilluara në Europë.
Për vitin 2019 janë realizuar 63,269 ndërhyrje, ose rreth 99.5% e planit vjetor të parashikuar (63,600 ndërhyrje), pa përfshirë paketimet me avull, që për të njëjtën periudhë janë 70,029.
Ky projekt financohet tërësisht me fonde publike sipas metodës (pay and use) në varësi të numrit të pacientëve, të cilët do të duhet të marrin shërbimin.
Për shkak se në këtë lloj shërbimi nuk mund të parashikohet me saktësi risku i kërkesës, atëherë mund të implikohet kosto shtesë për buxhetin në rast të tejkalimit të numrit të pacientëve.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve, në vitin 2019 detyrimet e akumuluara të qeverisë ndaj kompanisë “Sani Servis” arritën në 609 milionë lekë, ose më shumë se 5 milionë euro.
Fillesat e PPP-së
Koncesioni i sterilizimit është propozim i kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i nënshkruar në vitin 2015 me shoqërinë koncesionare “Sani Service sh.p.k.”, dhe ka si qëllim menaxhimin e qendrës së sterilizimit, ofrimin e instrumenteve kirurgjikale sterile sipas setit të personalizuar, veshjet në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve mjekësore me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale ku do të ofrohet ky shërbim.
Projekti shtrihet në të gjitha spitalet universitare, rajonale dhe spitalet bashkiakë. Shërbimi kryhet pranë sallave kirurgjikale, ambienteve ku ka aktivitet kirurgjikal, mikrokirurgjikal, ambulator dhe urgjencat e spitaleve universitare dhe rajonale.
Por kontratat koncesionare në shëndetësi të lidhura pas vitit 2014 janë pa studime të qarta fizibiliteti dhe në këtë mënyrë, lënë shtigje të hapura për rritjen e financimeve në periudhat e mëvonshme.
Për shembull, kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i operacioneve të zhvilluara para vitit 2014 rreth 60 mijë.
Por me plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundshmërisë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Më 2018, në të gjithë vendin, u kryen rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore.
Fitimet e koncesionarit “Sani Servise”
INSTAT raportoi se, në vitin 2018 u bënë rreth 8 mijë operacione më shumë se në vitin 2017. Për pasojë, pagesat ndaj kompanisë koncesionare, “Sani Servise” më 2018 ishin mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pohuar se janë akumuluar mbi 5 milionë euro detyrime ndaj kompanisë që ofron sterilizimin me PPP.
Në buxhetin e vitit 2020 ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018.
Vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65 % në harkun e dy viteve. Koncesioni, i cili nisi në vitin 2015 dhe do të përfundojë në vitin 2025, do të financohet me më shumë se 1.6 miliardë lekë në vit, teksa kontratat e hartuar pa studim fizibiliteti shfaqi defekt që në vitet e para të saj.
Në 2018-2019, faturoi sa 36% e parashikimit fillestar për 10 vjet
Sipas raportit vjetor të Saniservice, gjatë vitit 2019, numri i total i ndërhyrjeve të kryera në përputhje me kushtet kontraktuale ishte 63,585 në krahasim me një total prej 90,075 ndërhyrjesh të kryera gjatë vitit 2018. Gjithashtu, faturimi total gjatë vitit 2018 ishte 1.92 miliardë lekë, në krahasim me 1.69 miliardë lekë në vitin 2019.
Nga të dhënat e bëra zyrtare në raportin vjetor, rezulton se vetëm në 2 vjet, koncesionari ka faturuar buxhetin (FSDKSH) për një shumë prej 3.6 miliardë lekësh, që është e barabartë me 36% të vlerës së parashikuar fillestare të kontratës për periudhën 10-vjeçare.
Pas rritjes së pagesave në 2018-n, si rrjedhojë e shtimit të ndërhyrjeve, Ministria e Shëndetësisë dha urdhër për kufizimin e operacioneve, duket që e dha efektin në vitin 2019.
Aktiviteti i ‘Sani Service’
“Sani Service” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril një-përdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar.
Deri në vitin 2025, buxheti duhet t’i paguajë kompanisë edhe 12.3 miliardë lekë, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave. Në vitin 2018, kompania dyfishoi të ardhurat në 1.73 miliardë lekë.
Pagesat që mori subjekti në 2018 ishin rreth 1 milion euro, apo 8% më shumë sesa planifikimi i buxhetit për faturën vjetore që i duhej paguar këtij koncesioni. Sipas tabelave zyrtare të listës së koncesioneve /PPP me mbështetje buxhetore, pagesa e planifikuar ishte 1.6 miliardë lekë.
Kjo bëri që Ministria e Shëndetësisë të kufizonte ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet shtetërore dhe të shtynte operacionet për pacientët. “Sani Service” katërfishoi fitimet në 265 milionë lekë, me një normë prej 15% (para taksave).
Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, “Sani Service” paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët.
/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/