Skip to content
Aktualitet

Kompania nuk i ka dhënë rrogat/ Naftëtarët e Ballshit përplasen me policinë, tentojnë të futen në Uzinë

· 2 min lexim

Naftëtarët e Ballshit kanë tentuar përsëri gjatë ditës së sotme që të futen në Uzinën ku punojnë, pasi kompania që administron Uzinën nuk u ka dhënë pagat e prapambetura si dhe nuk ka nisur sërish procesin e punës sipas premtimit të dhënë.

Bëhet me dije se punonjësit e Uzinës kanë mbi 11paga të pamarra ende, duke i lënë edhe ultimatum kompanisë që t’ju jepen pagat pasi në të kundërt nuk do të fillonin punën.

Duke qenë se kompania që administron KPTHN-në e Ballshit si dhe institucionet shtetërore po ‘heshtin’ në lidhje me këtë çështje, naftëtarët e Ballshit kanë tentuar sërish që të futen forcërisht në ambientet e punës së tyre, por janë shpërndarë me forcë nga policia. Policia  private ka përdorur edhe spraj për të shpërndarë grupimin e naftëtarëve të revoltuar.

“Të na japin detyrimet dhe uzinën ta çojnë për skrap ku të duan. Vinë vjedhin dhe nuk ngopen, ishalla e paguajnë. Shteti të na japë çfarë na detyrohet. Kemi fëmijët në shkollë, nesër fëmijët tanë mund të ulen në karriget e tyre, nëse bëhen si këta politikanë mos u bëfshin kurrë”, tha një naftëtar i revoltuar.

“Duam lekët tona!” kanë thirrur njëzëri naftëtarët e revoltuar.

Ndërkohë kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, u ka bërë apel forcave të policisë private që të mos provokojnë punëtorët dhe turmën.

“U bëj thirrje forcave të policisë private të mos provokojnë punëtorët dhe turmën” tha kreu i Sindikatës, Sokol Dautaj.