Në skenën e teatrit absurd që po shfaqet në kryeqytet, kryebashkiaku Erion Veliaj është thirrur për herë të dytë brenda një viti në SPAK, këtë herë jo si “kolegu” i prokurorëve siç donte të na bindte më parë, por si një i dyshuar që mund të përballet me 20 vjet burg. Por në vend të përulësisë para drejtësisë, koloneli i hajdutëve vendosi të tregojë dhëmbët.
Shfaqja ishte veçanërisht pikëlluese. Pas pesë orësh pyetje në SPAK, Veliaj u zhduk mes thirrjeve “hajdut” të protestuesve, vetëm për t’u rishfaqur triumfalisht në skenën e tij të preferuar – Këshillin Bashkiak. Atje, në një shfaqje të paparë arrogance, u përpoq të na bindte se gjithçka është thjesht një “kurth i sajuar” nga një hije e quajtur Nesti Angoni.
Por ja ku qëndron ironia e hidhur: sipas nenit 283/3 të Kodit të Procedurës Penale, SPAK nuk mund t’i pranojë kallëzimet anonime. Pra, përralla e Veliajt për denoncuesin fantazmë është po aq e vërtetë sa inceneratori që nuk ekziston. Prapa këtyre hetimeve qëndrojnë prova të forta, dokumente që bërtasin, fakte që nuk mund të fshehin as dhjetëra Nesti Angonët e imagjinatës së tij. Dhe ndoshta, siç po përflitet gjithnjë e më shumë, edhe një dorë e fortë nga kolonelja tjetër, ndërsa gjenerali i hajdutëve vëzhgon nga larg zhvillimet.
Dhe akuzat? Janë aq të rënda sa do të fundosnin çdo zyrtar publik në një vend normal: korrupsion pasiv, aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Vetëm njëra prej tyre parashikon minimum 15 vjet burg. Por Veliaj? Ai vazhdon të ngjisë çdo mëngjes shkallët e bashkisë sikur asgjë të mos ketë ndodhur.
Më tronditës akoma është pranimi i tij se përdori regjistrin civil – pronën e të gjithë qytetarëve – për të gjurmuar denoncuesin e tij. Në çdo vend tjetër, ky abuzim i hapur me pushtetin do të ishte vetë një shkak për shkarkimin e menjëhershëm. Por jo këtu.
Por përdorimi i paligjshëm i të dhënave të qytetarëve nuk është diçka e re për këtë pushtet. Nga skandali i patronazhistëve te përdorimi i informacionit personal për fushata zgjedhore, të dhënat tona janë kthyer në mall pazari në duart e pushtetarëve. Veliaj thjesht po ndjek një praktikë tashmë të konsoliduar të shkeljes së privatësisë së qytetarëve, sikur regjistri civil të ishte pronë private e administratës së tij.
Hetimet që filluan në mars të 2024-ës kanë zbuluar një rrjet të tërë aktivitetesh të dyshimta. Nga dosja “5D” te inceneratori fantazmë, nga gërmadhat e Teatrit Kombëtar te ndërtimet që mbinë si kërpudhat pas shiut. Por SPAK, në një demonstrim të pashpjegueshëm pasiviteti, ende lejon të dyshuarin kryesor të vazhdojë të drejtojë të njëjtin institucion nga ku dyshohet se ka kryer krimet. Burime të ndryshme sugjerojnë se pas këtij intensifikimi të hetimeve mund të fshihet një luftë e brendshme pushtetesh, ku kolonelja tjetër po luan një rol të drejtpërdrejtë në shtyrjen e “kundërshtarit” drejt greminës.
Në mes të këtij hetimi për korrupsion masiv, Veliaj gjen kohë të nxjerrë banorët nga shtëpitë e tyre në pallatin Nr. 116, për dëmet e tërmetit të 2019-ës. Tenderi u hap në 2022, por u la në “gjumë” për dy vjet. Befas, në korrik 2024 shpall fituesin me 39.3 milionë lekë dhe tani, në mes të festave, u kërkon banorëve të lirojnë menjëherë banesat për 10 muaj – me një letër pa firmë e vulë në mur. Pa konsultime, pa plan strehimi, pa asnjë dokument zyrtar që të tregojë pse duhet bërë kjo ndërhyrje pas 5 vitesh nga tërmeti.
Më skandaloze është lista e gjatë e shkeljeve që SPAK-u ende nuk po heton. Ku janë hetimet për skandalin e 5D-së? Ku janë hetimet për inceneratorin që gëlltiti miliona euro por nuk ekziston? Ku janë mijëra tenderat e dyshimtë që kanë kulluar paratë e qytetarëve në xhepat e klientëve të bashkisë? Lista e shkeljeve të Veliajt është aq e gjatë sa këto katër akuza duken thjesht maja e ajsbergit të korrupsionit. Dhe përballë gjithë kësaj, as dorëheqje, as pezullim nga detyra – sikur të ishte mbi ligjin.
Dhe vetëm për sa po flasim, koloneli i hajdutëve thyen hapur një listë të gjatë ligjesh: Shpërdorim detyre (neni 248 i Kodit Penal) me tenderin e pallatit 116, që dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 7 vjet dhe me gjobë nga 300,000 deri në 1,000,000 lekë; Shkelje të barazisë në tendera (neni 251) duke mbajtur procedurën “në gjumë” për dy vjet, që dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet dhe me gjobë nga 1,000,000 deri në 5,000,000 lekë; Falsifikim dokumentesh (neni 186) me njoftimet pa firmë e vulë, që dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet kur kryhet nga zyrtari; Pengim të subjekteve për informim (neni 123) duke u mohuar banorëve të drejtën e informimit, që dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet; shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale duke përdorur regjistrin civil për qëllime personale, që dënohet me gjobë nga 100,000 deri në 1,000,000 lekë; shkelje të Ligjit për të Drejtën e Informimit që dënohet me gjobë nga 150,000 deri në 300,000 lekë dhe Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore duke tejkaluar kompetencat dhe anashkaluar konsultimin publik. Këto janë vetëm shkeljet që shohim në sipërfaqe të kësaj situate të fundit. Imagjinoni listën e plotë të shkeljeve në dhjetëra afera të tjera për të cilat SPAK ende nuk po e heton.
Ka një kontrast therës mes Veliajt që dikur i quante prokurorët “kolegë” dhe njeriut që tani u dërgon mesazhe kërcënuese nga tribuna e Këshillit Bashkiak. Ndërsa avokatët e tij përpiqen të na hutojnë me teknikalitete ligjore, faktet janë aq të rënda sa SPAK u detyrua t’i shumëfishojë akuzat.
Ndërkohë Tirana, qyteti që dikur pretendohej se do të bëhej “si Evropa”, drejtohet nga një kryebashkiak që mund të përfundojë dy dekada në burg. Nëse akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie nuk mjaftojnë për të pezulluar një zyrtar publik, atëherë ç’vlerë ka drejtësia jonë?
Historia e Erion Veliajt është prova e gjallë e një sistemi ku arroganca triumfon mbi ligjin, ku pushteti është mburojë ndaj drejtësisë, dhe ku SPAK-u qëndron si spektator në një shfaqje që po i kushton shtrenjtë qytetarëve. Gjithnjë e më shumë po forcohet hipoteza se përtej punës së drejtësisë, këto zhvillime mund të jenë edhe pasojë e një lufte të brendshme pushtetesh, ku kolonelja tjetër duket se ka gisht të drejtpërdrejtë, ndërsa gjenerali i hajdutëve ka zgjedhur të qëndrojë në hije, duke vëzhguar pasivisht përplasjen mes kolonelëve të tij.
Është koha që dikush t’i kujtojë kolonelit të hajdutëve se edhe dhëmbët më të mprehtë të pushtetit thyhen përballë forcës së ligjit. Por për këtë, SPAK-u duhet të zgjohet nga gjumi i thellë institucional dhe të veprojë. Përndryshe, historia do të kujtojë jo vetëm korrupsionin e një kryebashkiaku, por edhe heshtjen e atyre që kishin për detyrë ta ndalonin atë.
/gazetareforma.com