Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz është shprehur këtë të premte se NATO është e përgatitur të mbrojë çdo centimetër të territorit të aleancës.
Ai i bëri komentet në bazën ajrore Jagel në Gjermaninë veriore, ku u informua nga komandantët e lartë mbi stërvitjen më të madhe të mbrojtjes ajrore të NATO-s, Air Defender 2023.
Scholz tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka qenë një “pikë kthese” për Evropën dhe ka demonstruar kërcënimin se një vend i fuqishëm mund të veprojë, nëse ka fuqinë, për të pushtuar fqinjin e tij, për të marrë nën kontroll një pjesë ose të gjithë territorin e tij. .
“Dhe ne të gjithë jemi dakord që kjo nuk duhet të jetë më kështu dhe se kufijtë duhet të jenë të pacenueshëm dhe nuk mund të ndryshohen me forcë të dhunshme. Ky (stërvitje ajrore) është një shenjë se ne jemi të përgatitur mirë”, tha ai.
Mbi 250 avionë dhe 10,000 personel ushtarak nga 25 vende po marrin pjesë në Air Defender 2023, që është stërvitja më e madhe e dislokimit në historinë e NATO-s.
“Forcat tona po stërviten së bashku për mbrojtjen territoriale dhe të aleancës, në mënyrë që mesazhi të merret seriozisht nga të gjithë, se ne jemi gati të mbrojmë çdo centimetër të territorit tonë”, u tha Scholz gazetarëve pasi u informua nga komandantët në bazë.