Kanë nisur prej javësh kontrollet në Vlorë nga policia dhe FNSH për kapjen e personave në kërkim apo ata me precedent kriminalë.
Mësohet se edhe pse janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje të këtij qyteti ende nuk ka asnjë rast arrestimi, qoftë edhe për armëmbajtje. Në pamjet e siguruara efektivët shihen të pajisur me armë të rënda prej orësh.
Edhe në qarkun e Korçës policia ka ngritur pika kontrolli në kuadër të planit të masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe kapjen e personave në kërkim. Po ashtu edhe sektori i qarkullimit rrugor me qëllimin konstatimin e shoferëve që mund të konsumojnë alkool dhe janë pa dokumentacionin e duhur. Pritet të ketë informacione në vijim për shkeljet.
Ndërkohe duhet të theksojmë se teksa policia ka blinduar 2 qytete të rëndësishme të vendit, imazhi i uniformave blu është në një gjendje jo të mirë.
Vdekja e 32-vjeçarit, Lear Kurti në duart e policisë ka bërë që qytetarët të dalin për të dytën herë në protestë.
Protesta e qytetarëve mbështetet edhe nga kreu i PD, Sali Berisha i cili më herët ka bërë thirrje por nuk ndodhet i pranishëm në shesh.
Lear Kurti ndërroi jetë tre ditë më parë pas shoqërimit nga Policia e Shtetit.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, i riu ndërroi jetë nga një masë plastike të mbushur me kokainë të cilën dyshohet se e gëlltiti gjatë ndjekies nga policia.