Kaosi me verifikimet në Durrës, qytetarët të pasigurtë për fatin e banesave të tyre

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Tërmeti i 26 nëntorit përveç 23 jetëve që mori në Durrës, la pas edhe dëme të shumta në banesa. Durrësi tashmë i ngjan më shumë një zone lufte të bombarduar. Qytetarët përtej traumës psikologjike të shkaktuar natën e tërmetit, po përballen edhe me pasigurinë për banesat e tyre. Ajo që ngritën me djersë për 30 vjet, u shua në vetëm 30 sekonda.

Informacioni që qarkullon në Durrës është kaotik dhe shumë qytetarë nuk e dinë se çdo të bëhet në të vërtetë me shtëpitë e tyre. Tre ditë pas tërmetit u vunë disa shirita provizorë nga bashkia, për të gjithë banesat e dëmtuara, të cilat ishin të rrezikshme, pasi nga momenti në moment, mund të shembeshin.

Pas tyre erdhën grupe të shumta inspektimi, izraelitë, italianë, grekë, amerikanë, qipriotë, ku gjithsecili bëri vlerësimin e dëmeve. Në çdo pallat të prekur nga tërmeti u vendosën kryqe të ngjyrave të ndryshme.

Kryqi jeshil do të thotë se pallati është i sigurtë, i verdhi do të thotë se pallati nuk ka rrezik shembje, nuk ka dëmtim në strukturë dhe ka nevojë për riparime dhe kryqi i kuq, që tregon se banesa ka dëmtime në strukturë dhe duhet shembur. Në disa pallate ngjyra e kryqit është ndryshuar, për shkak të mendimeve të ndryshme të grupeve të ekspertimit, duke shtuar edhe më shumë pasigurinë tek qytetarët.

Një problematikë tjetër e hasur jo vetëm pas qetësimit të lëkundjeve, por edhe gjatë tyre, është edhe lëvizja e pallateve me dhjetëra cm. Në lagje të ndryshme të Durrësit, disa pallate janë anuar frikshëm dhe janë kthyer në një kërcënim për banorët. Një rast i tillë është edhe në lagjen Nr.5 të qytetit, ku sipas grupeve të ekspertimit, një pallat është anuar mbi 60 cm, duke vënë në alarm banorët e pallateve përreth, të cilët janë të frikësuar dhe nuk futen nëpër shtëpitë e tyre.

Ende nuk është marrë një vendim se çdo të bëhet me këtë pallat, ndërsa pritet që të vijnë edhe grupe ekspertësh për të bërë matjet e nevojshme. Ajo që bën çudi është fakti se ky pallat është i shënuar me kryq të verdhë, që do të thotë se ka nevojë për riparime. Gjithashtu bizneset që ndodhen në katin e parë kanë vijuar punën normalisht.

Ndër të tjera, qytetarët e Durrësit ankohen për mënyrën sesi janë bërë inspektimet. Kjo për shkak se disa pallate janë shenjuar si të sigurta, por në fakt problematikat janë parë nga vetë banorët, pasi janë futur sërish në apartamentet e tyre.

Kur ka kaluar pothuajse një muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, qytetarët e Durrësit nuk e dinë ende fatin e banesave të tyre.

Shpërndaje
Share.

Komento