Skip to content
Kronikë

“Kam bërë gabim”, GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë për shefin e komisariatit

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën e sigurisë për shefin e komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj. Ky i fundit u arrestua fitën e djeshme pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me një grup trafikantësh të drogës. Mësohet se Metaj ka pranuar akuzat, ku thotë se me Gëzim Çelën, i njohur si ‘baroni i drogës’ dhe që është shpallur në kërkim, ka njohje të vjetër.

“Kam bërë gabim por e kam bërë pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot”, mësohet se ka deklaruar Metaj.

Arrestimi i shefit të komisariatit të Laçit erdhi si pasojë e operacionit “Flakë në det” që goditi një grup të trafikantëve të narkotikëve, me bazë në Fushë Kuqe.

Tre personat e shpallur në kërkim (Gëzim Çela, Arben Dalipaj dhe Roland Guzo) raportohen se janë jashtë Shqipërisë. Ata përbënin një grup të strukturuar kriminal në shitjen e lëndëve narkotike kryesisht kanabis. Dritan Metaj në cilësinë e shefit të Komisariatit e informonte grupin për lëvizjet e policisë.

Dita e djeshme shënoi fazën e dytë të operacionit ‘Flakë në det’, pasi  në gusht 2023 u arrestuan edhe disa persona të tjerë, pasi u sekuestrua një sasi e madhe lënde narkotike.

Të arrestuarit në gusht:

Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;
Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;
Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;
Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;
Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;
Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.