Ka një kohë për çdo gjë, por sot nuk është koha për spektakël!

Shqiptarët nuk pranojnë të kërcejnë mbi faturën e vet!
Shqiptarët dinë të festojnë.
Dinë të mbushin sheshe, stadiume, koncerte, netë vere dhe çdo hapësirë ku ka muzikë, atmosferë dhe jetë. Prandaj problemi nuk është festa. Nuk është muzika. Nuk është artisti.
Problemi është kur festa përdoret si perde.
Kur një koncert kthehet në zhurmë për të mbuluar pyetjet që qeveria nuk do t’i dëgjojë dhe t’i përgjigjet. Kur spektakli vendoset përballë një vendi që prej javësh proteston për korrupsionin, paratë publike, mungesën e transparencës dhe arrogancën e pushtetit.
Nuk mund t’i thuash një vendi të festojë, kur i ke vjedhur buxhetin. Nuk mund t’i thuash të buzëqeshë, kur i ke marrë detin. Nuk mund t’i thuash të duartrokasë, kur e ke gjobitur për protestë. Nuk mund t’i thuash se po turpëron Shqipërinë, kur ai thjesht refuzon të bëhet dekor në fotografinë tënde.
Çdo gjë ka kohën e vet.
Ka kohë për muzikë. Ka kohë për spektakël. Ka kohë për festa. Por ka edhe kohë kur një popull duhet të ndalet dhe të thotë: jo tani, jo kështu, jo me paratë tona, jo mbi problemet tona, jo si shpërqendrim nga vjedhja.
Kjo nuk është luftë kundër muzikës. Është refuzim i cinizmit.
Sepse një popull që proteston nuk urren festën. Thjesht nuk pranon të përdoret si dekor në një fotografi pushteti. Dhe mbi të gjitha, nuk pranon të kërcejë mbi faturën e vet.