Skip to content
Politikë

“Jetoj me hallet e njerëzve”/ Rama nga Njësia Nr.1: Pushteti ka qenë gjithmonë i juaji

· 2 min lexim

Kryeministri Edi Rama ka vazhduar fushatën elektorale në Tiranë, ku ka qenë në një takim në Njësinë Nr.1. Nga aty Rama ka thënë se çdo minutë jeton me hallet e njerëzve pasi kjo nuk është një kohë e zakonshme. Më tej ai ka komentuar edhe fushatën e vaksinimit, duke thënë se drita në fund të tunelit po vjen duke u zmadhuar, ndërsa gjithashtu shumë shpejt ka ecur edhe rindërtimi.

“Jetoj çdo orë e minutë me stresin, shqetësimet dhe hallet e njerëzve. S’ka sesi të mos jeni të stresuar. Nuk është një kohë normale, nuk është një moment i zakonshëm në jetën tonë. Është një periudhë e gjatë, mbi 15 muaj, ju dhe gjithë ne, kanë hyrë në një fazë stresi, në një fazë shqetësimi më të madh se zakonisht. Hallëve të përditshme i është shtuar një hall i ri, pandemia. Që nga goditja katastrofike e tërmetit, tek goditja tjetër që gjunjëzoi botën si kurrë më parë, të gjitha shtetet u mbyllën në shtëpi. Është momenti të marrim frymë thellë. Drita në fund të tunelit po vjen duke u zmadhuar. Po bëjmë vaksinimin masiv që po u kthen buzëqeshjen gjyshërve dhe gjysheve, nënave e baballarëve. Po fillon rikthimi në shtëpi i njerëzve që humben banesat e tyre. Kemi ecuar shumë shpejt me ndërtimin e shtëpive.”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se në themelin ekrenarisë së tij është fakti se ai ka qenë thjesht njeriu që hyn e del në zyrë, ndërsa pushteti ka qenë i njerëzve.

“Një gjë e kam themelin e krenarisë time, se që nga dita e parë në atë zyrë thjesht kam qenë njeriu që hyn e del, ndërsa pushteti ka qenë i juaji. Nuk ka qenë asnjëherë në asnjë rast i interesave të mua, apo familjes time. Çdo ditë e çdo natë, sidomos në ditët më të vështira. Dhe mos harrojmë që nuk vijmë pas një mandati të dytë”, ka thënë Rama.