Skip to content
Kryesore

“Java e Kulturës Italiane” mbërrin në Gjirokastër

· 2 min lexim

“Java e Kulturës Italiane” ka mbërritur edhe në Gjirokastër, duke sjellë një seri aktivitetesh që ndërthurin artin, teatrin dhe trashëgiminë kulturore mes dy vendeve.

Një nga ngjarjet më të veçanta ishte shfaqja e dramës “Ndero babanë”, një produksion i përbashkët i Teatrit “Zihni Sako” dhe Teatrit Publik të Pulias në Itali.

Drama u ndërtua si një rrëfim ndërkulturor në tre gjuhë , shqip, italisht dhe anglisht dhe vendos përballë dy figura femërore simbolike: Burrneshën shqiptare dhe Franca Violën, gruan që sfidoi tabutë në Itali duke refuzuar martesën e detyruar në vitet ’60.

Përmes këtij paralelizmi, shfaqja eksploron tematikat e lirisë, guximit dhe identitetit gjinor në dy shoqëri të ndryshme.

Regjisori Milto Kutali vlerësoi përmasën kulturore të këtij bashkëpunimi:

“Është kënaqësi që në skenën e teatrit ‘Zihni Sako’ vjen përsëri një performancë e mrekullueshme e këtyre artistëve shqiptarë dhe italianë, shprehje e bashkëpunimit të dy organizmave shumë të rëndësishëm – Teatrit Publik Puliez dhe Bashkisë Gjirokastër.”

Aktorja Lejda Çeli theksoi rëndësinë e përballjes së dy historive dhe gjuhëve në një skenë të përbashkët, duke e quajtur shfaqjen një urë lidhëse mes dy botëve.

Ndërsa për aktoren italiane Ginevra Juni, përvoja në Gjirokastër ishte një emocion i veçantë:
“Qyteti është i mrekullueshëm, i mbushur me kulturë dhe traditë. E shijuam në çdo aspekt këtë vizitë dhe këtë bashkëpunim.”

Aktivitetet e Javës së Kulturës Italiane kanë tërhequr interes të madh nga vizitorët, veçanërisht turistët italianë që ndodhen në qytetin e gurtë. Evente të tilla jo vetëm pasurojnë jetën kulturore lokale, por thellojnë edhe lidhjet mes rajonit të Gjirokastrës dhe partnerëve italianë.