Është zbardhur dëshmia e shoferit të autobuzit ku u kapën 520 mijë euro të ndara në disa pako.
Mësohet se shtetasi Elidin Çela ka deklaruar para autoriteteve se paratë janë të pastra dhe vijnë si rezultat i kursimeve dhe bizneseve familjare. Madje ai është shprehur i gatshëm për të treguar faturat që t’i justifikojë këto para. Kujtojmë se ditën e arrestimit Çela nuk pranoi të japër dëshmi para policisë se ku i ka marrë paratë, duke u shprehur se pa praninë e avokatit nuk do të flasë.
Njoftimi i policisë:
Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.
Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plasmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.
Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.
Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.