“Jam Edi Rama”/ 25-vjeçari mashtroi ndërtuesin në Tiranë për 1 milion euro, arrestohet teksa merrte paratë

Një 25-vjeçar, i identifikuar si Albi Muça, është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se tentoi të mashtronte një ndërtues duke u prezantuar si kryeministri Edi Rama dhe duke i kërkuar 1 milion euro.
Sipas detajeve të bëra publike, Muça ka kontaktuar biznesmenin përmes aplikacionit të komunikimit Signal, ku është prezantuar si kreu i qeverisë dhe i ka kërkuar shumën e konsiderueshme të parave.
Gjatë komunikimeve, 25-vjeçari i ka bërë të ditur ndërtuesit se nuk do të paraqitej personalisht për të marrë paratë, por do të dërgonte një person tjetër për t’i tërhequr.
Kjo kërkesë ka ngjallur dyshime te biznesmeni, i cili ka kuptuar se mund të ishte objektiv i një mashtrimi dhe ka vendosur të njoftojë Policinë.
Pas denoncimit, Policia e Tiranës ka organizuar operacionin e koduar “Request”, duke ndërhyrë në momentin kur Albi Muça po merrte paratë. Efektivët kanë bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse 25-vjeçari ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë.
Nga informacionet e publikuara deri tani nuk është sqaruar nëse shuma prej 1 milion eurosh ishte dorëzuar e plotë gjatë operacionit apo nëse bëhej fjalë për një dorëzim të kontrolluar nga Policia.