Lufta Rusi-Ukrainë ka më shumë se 8 muaj e “ndezur” ndërkohëb që sulnmet vazhdojnë herë pas here. Këtë muaj Rusia ka përdorur disa dronë të blerë nga Irani për të shkatërruar pika strategjike për Ukrainën.
Presidenti izraelit Isaac Herzog pritet të ndajë informacione zbulimi në lidhje me dronët iranianë që po përdoren nga forcat ruse në Ukrainë, gjatë një takimi të mërkurën me presidentin amerikan Joe Biden. Zyra e zotit Herzog tha se Izraeli disponon imazhe të provave me dronë që Irani ka kryer në vitin 2021, të cilët duket të jenë të ngjashëm me dronët e rrëzuar në Ukrainë. Kievi dhe Perëndimi kanë thënë se gjatë sulmeve të fundit ndaj qyteteve ukrainase, përfshirë Kievin, Rusia ka përdorur dronë iranianë të tipit Shahed-136.
Teherani ka mohuar të ketë furnizuar Rusinë me dronë dhe kjo e fundit gjithashtu ka mohuar të ketë përdorur dronë të tillë në Ukrainë.
Më herët Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj tre gjeneralëve iranianë dhe një prodhuesi armësh të akuzuar për furnizimin me drone kamikazë iranianë në Rusi, që janë përdorur në valën e fundit të sulmeve ajrore ndaj objektivave civilë dhe të infrastrukturës ukrainase. Emrat e prodhuesit iranian të dronëve “Shahed Aviation Industries” dhe tre zyrtarëve të lartë ushtarakë iranianë u publikuan në revistën zyrtare të BE-së, duke i shtuar ata në listën e zezë të sanksioneve.