Izraeli hap zjarr ndaj protestuesve palestinezë në Gaza, dhjetëra të plagosur

Ushtria izraelite ka filluar sërish sulmet ajrore në Gaza pas përplasjeve të fundit midis ushtarëve të saj dhe protestuesve palestinezë gjatë një demonstrate për të përkujtuar djegien e Xhamisë Al-Aksa të Jeruzalemit, 52 vjet më parë.
Në një deklaratë zyrtare që mbajtën të shtunën në orët e vona, ushtria izraelite tha se goditi katër vende të prodhimit dhe magazinimit të armëve në Gaza që i përkisnin Hamasit. Bastisjet erdhën disa orë pasi ushtarët izraelitë hapën zjarr mbi turmat e palestinezëve të rinj që protestonin në gardhin që ndante Gazën me Izraelin.
Gjithashtu Ministria palestineze e shëndetësisë tha se dhjetëra njerëz u plagosën, përfshirë një djalë 13-vjeçar palestinez i cili u qëllua në kokë. “Dyzet e një civilë u plagosën me lëndime të ndryshme,” tha ministria në një deklaratë. Ushtria izraelite i quajti protestuesit “trazirë” dhe tha se disa ishin përpjekur të ngjiteshin në gardhin kufitar dhe hodhën “pajisje shpërthyese” kundër ushtarëve të saj.Ushtria tha se “u përgjigj me mjete për shpërndarjen e trazirave, përfshirë kur ishte e nevojshme zjarr i drejtpërdrejtë”.
Ndërsa policia kufitare izraelite ka treguar se një 21-vjeçar është plagosur rëndë, pasi sipas tyre është qëlluar nga një protestues palestinez. Gjithashtu mësohet se i riu është në gjendje kritike. Sipas Al Jazeera, të paktën 10 nga palestinezët e plagosur janë fëmijë dhe dy prej tyre ishin në gjendje kritike. Al Jazeera raporton se palestinezët kishin kërkuar një përkujtim paqësorë.