Skip to content
Kryesore

Ishte zhdukur prej 6 ditësh, gjendet i vetëvarur 20-vjeçari në Korçë

· 2 min lexim

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Korçën, ku një i ri ka humbur jetën në rrethana tragjike.

20-vjeçari Hysen Lato është gjetur i vetëvarur në një zonë pyjore në fshatin Gjonomadh, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një gjendje e rënduar psikologjike.

Trupi i të riut u zbulua nga banorët e fshatit, ndërkohë që familjarët e kishin shpallur të zhdukur prej disa ditësh.

Policia po heton ngjarjen për të zbardhur shkaqet që e çuan Hysen Laton drejt këtij vendimi ekstrem.

Rasti i tij është pjesë e një vale të zymtë vetëvrasjesh që kanë goditur vendin javët e fundit.

Vetëm pak ditë më parë, më 7 qershor, një tjetër i ri, Guido Dervishllari, u gjet i vetëvarur në kodrat pranë fshatit Rrëmenj.

Ashtu si në rastin e fundit, edhe ai dyshohet të ketë qenë nën trysninë e një gjendjeje të rëndë psikologjike. Të afërmit e përshkruan si një djalë plot jetë, ëndrra dhe dëshira, që nuk kishte dhënë shenja të një krize të tillë.

Rritja e ndjeshme e rasteve të vetëvrasjeve në mesin e të rinjve ka ngritur shqetësime serioze, ndërsa mungesa e shërbimeve të shëndetit mendor dhe vëmendjes institucionale vetëm sa po e përkeqëson situatën.

Ky është një sinjal alarmi për të gjithë shoqërinë dhe veçanërisht për institucionet përgjegjëse që të marrin masa konkrete e të menjëhershme.