Ndërsa del dhe flet për transparencë dhe të drejtë informimi, Komisioni për të Drejtën e Informimit dhe mbrojtjes së të dhënave vetë mohon kategorikisht ta bëjë një gjë të tillë për mediat. Gazeta Reforma ka kërkuar prononcimin e komisionerit, Besnik Dervishi për disa çështje megjithatë asnjë informacion nuk është dhënë nga ana e tij dhe ka qenë njëherësh zgjedhje personale që të mos prononcohet.
Megjithatë propaganda e cila “dominon” fuqishëm në vendin tonë, vazhdon punën e saj. Dje Dervishi organizoi një konferencë Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, ku u ndal te rëndësia që ka e drejta e informimit dhe garantimit të transparencës, duke rënë totalisht në kundërshti me rastin konkret të përmendur më sipër, për median tonë.
“Më duhet të theksoj se shoqëria civile, media, bota akademike apo të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës me kontributin e vazhdueshëm të tyre,” tha Dervishi në fjalën e tij.
Sikur të mos mjaftonte, ai madje shtoi se sfidë mbetet që qytetarët të mos ndeshin në burokracira të cilat e pamundësojnë dhënien e informacionit në kohën e duhur, teksa këtu përmendi edhe gazetarët të cilët mesa duket përveç misionit të tyre për të informuar, nuk paskan të drejtë të marrin informacion nga ai.
“Në ndonjë rast çështje apo kërkesa të ndryshme ngjallin edhe debate të ndezura mes nesh, por ne Komisionerët shpesh përpiqemi të vendosim ekuilibrat e duhur në respekt të të drejtave të njeriut. Në Shqipëri, si në shumë pjesë të botës, ne e dimë zhgënjimin e qytetarëve kur ata hasin burokraci, kur informacioni i kërkuar nuk jepet në kohë, apo kur gazetarët e duan atë në çast për të bërë lajmin e tyre“, tha Dervishi.
Si për të përmbyllur deklaratën “propagandistike”, Dervishi u bën thirrje institucionet që të jenë transparente, por duke respektuar, siç u shpreh, kuadrin ligjor.
“Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, ne duhet të mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të nxitur transparencën e autoriteteve publike duke respektuar ndërkohë kuadrin ligjor dhe parimet etike“, – veçoi më tej Komisioneri Besnik Dervishi në fjalën e tij.