Skip to content
Të Gjitha

Ironia e Ramës: “Më shumë kam dëgjuar fjalën ‘master’, se gjelat e Surrelit”

· 1 min lexim

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim mbi bashkëqeverisjen, ku iu bëri thirrje qytetarëve që t’i drejtohen portalit “Shqipëria që duam” për çdo ankesë.

E pavarësisht temës së takimit, kreu i qeverisë nuk la pa thumbuar studentët që protestojnë, teksa dëgjonte një ekonomist nga Vlora, i arsimuar jashtë vendit dhe me disa mastera.

Kreu i qeverisë tha se fjalën master e kishte dëgjuar shumë herë, madje deri në orën 3 të mëngjesit, ndërsa shtoi: ‘më shumë sesa gjelat e Surrelit’.

Përtej shakave, Rama tha se ata që duan përjashtim nga tarifa e masterit do të duhet të dalin me rezultate të mira.

“Meqë përmendët fjalën master, se e kam dëgjuar deri në 3 të mëngjesit. E kam dëgjuar shumë më tepër sesa të gjithë gjelat e Surrelit pak më vonë. Dua ta theksoj se s’ka asnjë mundësi dhe nuk është e drejtë që të ndërhyhet financiarisht me mbështetje nga taksa-paguesit për masterin. Ne kemi bërë një përjashtim nga tarifa e masterit për ata që janë me 9-10.”- tha Rama.