Interpelanca/ Ministri Blendi Klosi diskreditohet në Kuvend për Prespën, deputeti minoritar: Asnjë investim konkret…

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, është diskredituar sot dhe ka dalë bllof gjatë një interpelanca parlamentare në Kuvend, në lidhje me projektet e parealizuara dhe me premtimet e pa mbajtura për zonën turistike të Prespës.

Interpelanca që është mbajtur në Kuvend, është kërkuar nga deputeti minoritar maqedonas, Vasil Sterjovski, për Liqenin e Prespës dhe popullsinë e Bashkisë së Pustecit.

Sterjovski, ka pasur dy shqetësime, e para lidhur me uljen e nivelit të ujit të liqenit, dhe varfëria e zonës, teksa theksoi se, ka pasur projekte për Parkun Kombëtar të Prespës por asnjë investim konkret.

Sipas deputetit Sterjovski, nga ana e ministrisë së drejtuar nga Blendi Klosi, janë paraqitur disa projekte dhe janë bërë shumë premtime, por të gjitha këto kanë rezultuar si të parealizuara deri tani.

Por duke marrë fjalën në këtë interpelancë, ministri Klosi, foli mbi investimet në Bashkinë e Pustecit e veçanërisht në Liqenin e Prespës, që sipas tij janë në realizim e sipër, por pa dhënë detaje apo shifra konkrete.

Ministri Klosi, në lidhje me këto akuza të bëra nga deputeti minoritar, u justifikua vetëm me faktin se, këtë destinacion e vizitojnë mbi 100 mijë turistë dhe sërish kapacitetet e vendosura me bujtina nuk janë të mjaftueshme.

Ministri Klosi pretendoi se, po punohet për mbështetjen e banesave, si dhe trajnimin e personave që do të punojnë në atë projekt.

“Pusteci është sot një destinacion turistik teksa 110 mijë turistë e vizituan atë”,- deklaroi në fhjalën e tij ministri Klosi, duke shtuar se, – “në sezon turistik është vështirë të gjesh një tavolinë apo shtrat të lirë në Pustec”.

Po ashtu Klosi, u mundua të justifikohet edhe me faktin se ai ka simpati për zonën dhe se është partizan i turizmit në Prespë e Korçë.

Ja pjesë nga debati dhe rreplikat gjatë interpelancës:

VASIL STERJOVSKI: A po monitoron ministri për tërheqjen e ujit në Prespë? Për të parandaluar uljen e ujit në Liqen? Në 1997 është shpallur Park Kombëtar.

Në 20 vite Ministria ka zbatuar projekte të ndryshme për Parkun e Prespës që synon mbrojtjen e mjedisit, rritjen e numrit të turistëve etj., që kanë kapur miliona euro. Por nuk kanë ndikuar në uljen e varfërisë në këtë vend.

Kishte një projekt për të ulur varfërinë dhe për të ruajtur biodiversitetin në Prespë. Është viti i 4-t  dhe s’ka asnjë investim konkret. A keni kërkuar dhe vlerësuar si janë menaxhuar këto investime.

A s’ka ardhur koha që fondet të mos shkojnë më për konferenca, dreka dhe ekspertë të huaj por për të rritur ekonominë për këtë zonë.

BLENDI KLOSI: Do të doja të falënderoja deputetin. Është çështje shumë e rëndësishme për biodiversitetin dhe pasurinë aq të madhe të Prespës dhe Bashkisë së Pustecit. Shqipëria është vend shumë i vogël për të ndikuar tek efektet e ngrohjes globale.

Edhe vendet më të fuqishme diskutojnë mungesën e kapaciteteve njerëzore për të fituar ndaj një beteje të jashtëzakonshme. Gjithë bota diskuton shumë më tepër për mjedisin, natyrën dhe ngrohjen globale. Efekti po gjen sot Liqeni i Prespës është një nga shumë shenjat që perëndia nëse do në jetë, që dëshira dhe mbrojtja e natyrës është parësore.

Duhet të ndaj me ju për zhvillimin e Liqenit të Prespës, që lag 3 brigje të 3 shteteve. Jo vetëm 3 shtete po disa kultura. Bën bashkë kaq shumë kultura e histori. Monumente natyrore që duhet ta shtojmë në një burim të madh ekonomik.

Jemi përpjekur dhe kemi bërë një sërë aktivitetesh, në bashkëpunim me Bashkitë e Pustecit dhe Korçës. 110 mijë turistë vizituan atë destinacion turistik. Mbi 100 mijë turistë ndikuan në zbutjen e varfërisë së zonës. Ka disa bujtina dhe guest-house, mbi 100 shtretër të deklaruara në atë breg liqen, por ka shumë më tepër kërkesa. Si Pusteci është destinacion turistik, dhe është shumë e vështirë të gjesh një shtrat të lirë apo tavolinë bosh.

Korça shënon një destinacion 12-mujor falë investimit në gjithë infrastrukturë në disa destinacione. Jam partizan i asaj zone. Ky është ndryshimi që vjen nga ndryshimi turistik i asaj zone. Ngrohja globale s’është vetëm shqetësim i Shqipërisë.

Edhe në Greqi janë larguar 1 mijë metra varkat nga molet. Edhe në Maqedoninë e Veriut kjo gjë. Pra e ndjejnë nevojën për të kontribuar në këtë liqen.

Ngrohja globale dhe me 2 gradë na bën të mendojmë. 3 festa janë organizuar aty, keni qenë vetë. Perëndia nuk hedh më borë aty. Festa e dimrit ishte me diell. Pra ka ndryshuar klima, dhe klima ka efektet e saj. S’është vetëm problem rajonal por botëror. Organizatat ku ne marrim pjesë e shohin me shqetësim më të madh.

/Burimi: BW/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento