Mëngjesin e sotëm një biznes në zonën e ish-kënetës shpërtheu, pasi në derën e jashtme të tij u hodh një sasi e vogël lënde plasëse. Biznesi është në pronësi të Shaban Agës , 58 vjeç, dhe nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Aga gjatë një interviste për mediat ka deklaruar se kjo është hera e pestë që sulmohet brenda muajit në banesën e tij, këtë e konfirmuan edhe banorët më parë, të cilët u shprehën të shqetësuar për këto ngjarje të njëpasnjëshme. Pronari i biznesit shprehet se është drejtuar disa herë në polici, por pa rezultat. Ai iu bën apel autoriteteve për gjetjen e autorëve dhe vendosjes së drejtësisë sa më shpejt.
“Është e pesta herë brenda muajit që më kanë sulmuar në banesën time. Dy herë më kanë hyrë në banesë dhe më kanë lyer makinën me benzinë. Dy herë më kanë qëlluar në drejtim të banesës me armë dhe kjo është hera e pestë që më hedhin tritol. Si pasojë e kësaj raprezaleje, 3 fëmijët i kam nisur në Gjermani dhe në Angli. Jetoja vetëm me gruan në shtëpi, ndërsa mbrëmë gruan e kisha çuar te njerëzit e saj. Kërkoj drejtësi, të zbardhet kjo ngjarje. Kush janë këta persona të interesuar të më godasin, kur unë filmimet jam kam çuar dhe policisë”, tha 58-vjeçari.
Shaban Aga mësohet të jetë i angazhuar edhe në politikë, pasi është kryetari i grupseksionit të PD në lagje, por ai e mohoi që këto ngjarje të kenë ngjyrim politik. Ndërkohë Pista kryesore për të cilën po heton policia, e lidhur me dyshimet për një 31-vjeçar nga Burreli, me të cilin thotë se ka pasur konflikte, 58-vjeçari deklaron se nuk ka asnjë problem me atë person dhe nuk i ka asnjë borxh.
“Nuk kam asnjë problem me atë person që thotë policia, nuk i kam ndonjë borxh. Unë kam 22 vjet që jetoj në zonën e Kënetës, më njeh gjithë lagjja që unë nuk i kam borxh askujt.
Ai mendon se djali im i ka borxh 31-vjeçarit nga Burreli, por djali im është sqaruar.
Para disa muajsh më ka çuar fjalë ky person që ka pasur një borxh të pashlyer me djalin tim në Angli, por i thashë nga unë si prind a të kam ndonjë detyrim, unë si person? Unë nuk i kam gjë detyrim dhe as djali nuk i ka, është sqaruar. Dua që këtë çështjes ta zgjidhë policia, ose më duhet të iki nga shtëpia ime, por s’kam pse të iki, ose të gjej rrugë të tjera që të zgjidh këtë problem”, deklaroi 58-vjeçari.