Skip to content
Të Gjitha

I kërkoi favore seksuale studentes në këmbim të provimeve, pezullohet nga detyra pedagogu i Elbasanit

· 2 min lexim

Rektorati i Universitetit të Elbasanit ka pezulluar nga detyra pedagogun, Denis Himçi.

Ky i fundit doli me zë dhe figurë në emisionin “STOP”, duke i kërkuar favore seksuale një studenteje, për të marrë disa provime.

Në njoftimin e Rektoratit, thuhet se pezullimi do të mbetet në fuqi, derisa të sqarohet plotësisht kjo çështje.

Gjithashtu Universiteti i Elbasanit ka shprehur distancimin nga çdo lloj sjellje e ulët dhe e padenjë.

Ndërkohë pas publikimit të pamjeve, polica i vuri prangat pedagogut.

Mbi të rëndojnë veprat penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Njoftim për shtyp i Universitetit të Elbasanit

Nëpërmjet Komunikatës për shtyp të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit, Elbasan, të datës 18.09.2019, jemi vënë në dijeni për ndalimin e punonjësit të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, Denis Himçi, me detyrë personel akademik në Departamentin e Gjuhës Frënge dhe Italiane, të Fakultetit të Shkencave Humane, pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop” të mbrëmjes së datës 17.09.2019.

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra të pedagogut Denis Himçi. Masa e pezullimit nga detyra do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të çështjes.

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” shpreh qëndrimin e tij zyrtar se distancohet ndaj çdo sjelljeje të ulët e të padenjë, e cila cënon figurën e personelit akademik dhe imazhin e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” është i hapur dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë deri në zbardhjen e plotë të çështjes.

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” falenderon emisionin investigativ “Stop” për kontributin e dhënë në evidentimin e rasteve të sjelljeve të padenja që cënojnë imazhin e universiteve shqiptare.

R E K T O R AT I