Skip to content
Kryesore

I gjithë grupi i Laert Haxhiut, në burg me 4 telefona, kufje e karikues! Kush është furnitori i bandës

· 2 min lexim

Një dosje hetimore e siguruar nga “Ora News” ka hedhur dritë mbi një problem serioz në sistemin penitenciar shqiptar, ku personat e dënuar me rrezikshmëri të lartë vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet kriminal nga brenda qelive të burgut përmes telefonave të futur në mënyrë të paligjshme.

Hetimi fokusohet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, ku ndodhet i izoluar Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Sipas dosjes, skuadra operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka zbuluar se Haxhiu ka realizuar dhjetëra telefonata nga qelia, duke dhënë udhëzime të dyshuara për veprimtari kriminale.

Në sektorin “A”, kati i parë, dhomat nr. 4, 5 dhe 6 strehojnë disa nga emrat më të rrezikshëm të sistemit: Laert Haxhiun, Anterio Kaloshin, Orgest Bilbilin, Vladimir Kurtin dhe Xhensi Lipon.

Gjatë kontrollit të kryer më 29 qershor 2025, u sekuestruan katër telefona celularë të markave “iPhone” dhe “Samsung”, kufje të markave “AWEI” dhe “iPods”, si dhe pajisje të tjera elektronike.

Aparatet u gjetën në dhoma dhe në oborrin e burgut, ku dyshohet se ishin hedhur nga dritaret kur të dënuarit kishin kuptuar praninë e skuadrës së kontrollit. Në dhomën nr. 6, ku qëndron Laert Haxhiu, u zbulua një telefon “iPhone” i ndezur, kufje dhe karikues, ndërsa në dhomat ngjitur, hetuesit gjetën pajisje të tjera të ngjashme.

Të dënuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar për të fshehur provat para kontrollit.

Prokuroria e Korçës ka marrë në dorë çështjen dhe ka regjistruar një procedim penal për veprën penale “Futja e sendeve të ndaluara në ambientet e burgut”. Të dyshuarit kryesorë janë pesë të dënuarit që ndodhen në sektorin e kontrolluar.

Aktualisht, aparatet e sekuestruara janë në proces ekspertimi, ndërsa po analizohen edhe pamjet filmike të datës 29 qershor për të identifikuar autorët e futjes së pajisjeve në qeli.

Ndërkohë, drejtoria e burgut ka marrë masën e izolimit për Laert Haxhiun, ndërsa të gjitha materialet e mbledhura i janë bashkëngjitur dosjeve të mëparshme penale të të dënuarve, të cilët janë përfshirë në vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në vitin 2017 një ngjarje që la të plagosur edhe dy persona të tjerë.