I dyshuari i dytë për atentatin ndaj prokurorit, Juli i Pashakos mohon akuzat: Grupi i gatshëm ka terrorizuar familjen

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Personi i dytë i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja është Julian Sula, i njohur si Juli i Pashakos.

Gjurmët e tij janë gjetur në makinën e braktisur të autorëve në fshatin Shkafane të Ishmit.

Mësohet se Sula ishte duke u përgatitur edhe për një atentat tjetër të bujshëm, por nuk vijoi me planin, pasi kuptoi se ishte vënë në ndjekje nga policia.

Në një intervistë për “News24” Sula ka mohuar të ketë qenë pjesë e atentatit.

Ai shprehet se më 1 nëntor ndodhej në aeroportin e Kosovës dhe do të ikte në Turqi për të kryer disa analiza, për shkak të një plagosje në mushkri.

Më tej i dyshuari shton, se policia ka terrorizuar familjen e tij, duke kryer kontrolle.

Sula vijon më tej duke thënë, se policia i ka komunikuar avokatit të tij, se është i pastër.

Intervista:
Keni njohje me Redjan Rrajën?
Jo

Po për paratë që iu janë konfiskuar?
“Lekët i kisha mbledhur borxh, i kisha marrë borxh nëpër motra, vëllezër e kushërinj, për të bërë operacionin në Turqi, më thanë për 100 mijë euro.

Mjeti thanë se kushton 100 mijë euro …
Mjeti bën 10 mijë euro, e ka në letra.

Po sa i përket operacionit në Turqi?
Nuk më dhanë garanci, më thanë të shkoja në Rusi, se atje është një doktor më i mirë. Jam shumë keq nga mushkëria. Nga plagosja që më është bërë dhe kam nevojë për ndërhyrje.

Nga dokumentet vërtetohet se më 1 nëntor keni qenë në …?
Kam qenë në Kosovë, në aeroport, për të ikur në Turqi për të bërë analizat.

Si ndjehesh kur policia ushtron kontrolle në banesë herë pas here?
Terror, si të ndjehem, ndjehesh mirë me terrorin. Këto janë biletat që kam ikur nga Kosova për në Turqi. Këtu janë pasaportat. Ja vulat e Stambollit, Kosovës.

Aktualisht jeni i kërkuar apo jo?
S’jam i kërkuar. Unë sot hyra nga dogana e Hotit. Erdha nga Turqia në Kosovë dhe pastaj në Shqipëri. Kur erdha këtu fola me avokatin dhe më tha që do interesohet. Mori shefin e komisariatit dhe i tha që këtu në Lushnje nuk është i kërkuar. Mori drejtorin e qarkut dhe ai i kishte thënë që s’ka problem, është i pastër.

Ju këtë intervistë e keni kërkuar për …

Për të sqaruar opinionin. Unë s’kam lidhje, një e di dhe Juli, Juli, nuk e di kush i bën këto gjëra. Më fusin në hasmëri me tjerët, më kanë hapur shumë probleme. Edhe me familjen, goca vuan  nga këmba, grupi i gatshëm që vjen e bën kontrolle, ngrij gocën, nusen. Çdo gjë, një më dy te shtëpia ime, na kanë terrorizuar.

Juli, cili është apeli juaj?

Janë gjëra koti, koti. S’kam lidhje fare me asnjë lloj gjëje. Unë jam i sëmurë. U plagosa, më plagosën, asnjë gjë s’është kapur dhe më ngatërrojnë me gjëra tjera. Çështjen time s’e kanë zgjidhur akoma.

Prej ditës së djeshme policia ka nisur kontrollet masive në qytetet, ku dyshohet se fshihet Sula.

Gjithashtu është kontrolluar edhe një banesë, që dyshohet se ishte bazë e këtij grupi kriminal, por në momentin që kanë arritur agjentët e FNSH, ka qenë e pastruar.

Nga ekspertiza e qelizave telefonike, rezulton se dy persona të tjerë të lidhur me ngjarjen janë në arrati.

I vetmi i arrestuar për ngjarjen është Redjan Rraja, ndaj të cilit Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë, “Arrest me burg”.

Shpërndaje
Share.

Komento