Udhërrëfyesi i çmimeve në sektorin e ndërtimit, si për kompanitë që përdorin fonde private dhe publike, do të jetë manuali i ri i çmimeve, që do të funksionojë si sistem i integruar.
Manuali i informatizuar unifikon metodologjinë e llogaritjes së kostos së ndërtimit, bazuar tek të dhënat për çmimet mesatare të materialeve të ndërtimit dhe çdo zë punimesh dhe preventivat që do të deklarojnë subjektet.
Vendimi “Për krijimin dhe funksionimin e sistemit të integruar për informatizimin e manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim” është botuar në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përcakton se ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos, si shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën, për materialet, për transportin dhe për makineritë. Më tej nëpërmjet sistemit të integruar i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çmimet e mesatarizuara në shkallë vendi.
Çmimet për çdo zë pune në ndërtim do të deklarohen online nga subjektet ndërtuese nëpërmjet portalit e-Albania.
Përditësimi i manualit të çmimeve është një kërkesë e kahershme e shoqatës së ndërtuesve, ndërsa në vend ka debat për rritjen e lartë të çmimeve të apartamenteve, por edhe për kostot e rrugëve në investimet publike.
Me këtë vendim qeveria synon jo vetëm të unifikojë koston e ndërtimit si për ndërtuesit që operojnë me fonde publike, por edhe private, si dhe të lehtësojë kontrollin financiar në sektorin e ndërtimit. Deri tani kostot e ndërtimit në manualin e miratuar në 2015 dhe vendimit vendimit të miratuar në 2007 për informatizimin e llogaritjes së kostos që shfuqizohen.
Vendimi
Neni 1 Krijimin e sistemit të integruar të informatizimit të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim (në vijim “sistemi i integruar”), i cili unifikon metodologjinë e llogaritjes e të formatit të paraqitjes së preventivave dhe situacioneve, si dhe të analizave teknike të çmimeve për të lehtësuar veprimtarinë e subjekteve publike apo private, si dhe për lehtësimin e kontrollit tekniko-financiar në fushën e ndërtimit. 2. Institucioni përgjegjës për gjenerimin dhe përditësimin e të dhënave në sistemin integruar është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Neni 2 1. Të dhënat parësore që përmban sistemi i integruar janë: a) të dhënat për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos; b) analizat teknike të çmimeve mesatare për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre sipas përcaktimeve të këtij vendimi; c) preventivat/situacionet për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve. 2. Të dhënat dytësore që përmban sistemi i integruar janë të dhënat e identifikimit të subjekteve të interesuara, si: emri, mbiemri, numri personal i identifikimit, NIPT-i ose numri i licencës.
Neni 3 1. Sistemi i integruar ndërvepron me baza të tjera të dhënash, si: a) Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; b) Regjistri Tregtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit; c) Regjistri i Licencave; ç) Portali unik qeveritar e-Albania. 2. Dhënës të informacionit në sistemin e integruar janë: a) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; b) Personat fizikë apo juridikë privatë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e ndërtimit; c) institucionet e administratës publike që planifikojnë investimet për ndërtimin e veprave publike.
Neni 4 1. Subjekte të interesuara janë të gjithë personat fizikë apo juridikë, publikë ose privatë, të cilët kërkojnë të përdorin sistemin e integruar për hartimin e preventivit ose situacionit në rastin e një investimi apo punimi në fushën e ndërtimit, si dhe për çdo arsye tjetër. 2. Niveli i aksesimit në sistemin e integruar është, si më poshtë vijon: a) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në sistemin e integruar: b) Subjektet e interesuara sipas pikës 1, të këtij neni, kanë akses në leximin për sa u përket të dhënave për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos, si dhe analizat teknike të çmimeve mesatare, krijimin e dokumenteve përkatëse, si preventiv apo situacione, si dhe dhënien e informacionit, analizave apo të dhënave për çmimin e elementeve të kostos.
Mënyra e funksionimit të sistemit të integruar
Neni 5 Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë programim të fondeve publike nga buxheti i shtetit apo donatorë të huaj, për efekt planifikimi investimesh për ndërtimin e veprave publike, për të përcaktuar vlerën e fondit limit të veprës orientohen dhe u referohen çmimeve të zërave të punimeve të përcaktuar në sistemin e integruar të manualit të çmimeve të ndërtimit.
Neni 6 Hartimi i preventivit apo situacionit, si dhe zbatimi i mbikëqyrjes së çdo punimi ndërtimi, që realizohet nga persona fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë, me fonde publike ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të bëhet nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim.
Neni 7 Preventivat për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në faqen e preventivave të unifikuar në portalin unik qeveritar e-Albania, sipas metodologjisë së llogaritjes së kostos, janë pjesë e dokumentacionit teknik të çdo objekti të projektuar apo të ndërtuar në Republikën e Shqipërisë.
Neni 8 1. Vlerat e zërave të punës së preventivave të objekteve ndërtimore, të projektuara nga subjekte, publike apo private, përcaktohen nga prodhimi i volumeve të punës, të llogaritura në librezën e masave të projektit, me çmimet për njësi në sistemin e integruar të manualit të çmimeve. 2. Vlera e zërave të punës, të situacioneve e të ndërtimit përcaktohen nga prodhimi i volumeve të punës, të llogaritura në librezën e masave të zbatimit me çmimet për njësi të llogaritura mbi bazën e analizave teknike të punimeve të ndërtimit, sipas vlerave faktike.
Neni 9 1. Sistemi i integruar i manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim përmban çmimet e punimeve të ndërtimit të mesatarizuara dhe analizat teknike të punimeve të ndërtimit, të specifikuara sipas numrit të analizave. 2. Manuali i çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim pasqyron situatën aktuale të çmimeve të mesatarizuara të materialeve të ndërtimit dhe produkteve për ndërtim, të ofruara nga tregu përkatës, brenda vendit në çdo moment të kohës.
Neni 10 Materialet e ndërtimi janë të gjitha materialet, që përdoren në zbatimin e punimeve të ndërtimit, përfshirë lëndën e parë dhe materialet ndihmëse, në përputhje me standardet e miratuara dhe me rregulloren evropiane për produktet e ndërtimit. Në rastet kur është e aplikueshme, produktet duhet të jenë të shoqëruara me deklaratën e konformitetit (CE).
Neni 11 Sistemi i integruar i manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim përditësohet në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet informacionit të ardhur nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre, nëpërmjet këtij sistemi, sipas strukturës së kostos së punimeve të ndërtimit, të përcaktuar në aktet ligjore në fuqi.
Neni 12 Të gjitha subjektet, private apo publike, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit ose në fushën e ndërtimit nëpërmjet shërbimit të dedikuar elektronik në portalin unik qeveritar e-Albania, paraqesin analizat teknike dhe çmimet për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura prej tyre, për të cilat nuk ekziston një analizë teknike e çmimit në manualin elektronik. Analizat teknike paraqiten në përputhje me metodologjinë e parashikuar në udhëzimin nr. 2, datë 8.5.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”.
Neni 13 1. Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë prokurime të punimeve të ndërtimit me fonde publike nga buxheti i shtetit apo nga donatorë të huaj, në kontrollin e çmimeve për zërat e punës së ofertave të paraqitura në tender, u referohen çmimeve të zërave të punimeve të dhëna në manualin e çmimeve të ndërtimit dhe në analizat teknike të këtyre çmimeve. 2. Në rastin kur zëri i punës nuk është në manualin e çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim, institucioni shtetëror, që kryen prokurime, u kërkon subjekteve ofertuese të paraqesin analizën teknike, bazuar në formatin e dhënë në sistemin e integruar, si dhe në metodologjinë e strukturës së kostos së punimeve të ndërtimit, të përcaktuar në aktet ligjore në fuqi. 3. Fond i veçantë i parashikuar për çdo objekt, i cili shërben për zbatimin e masave për sigurinë në kantier, në zbatim të aneksit VI, të vendimit nr. 312, datë 5.5.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për sigurinë në kantier”, parashikohet në dokumentacionin që do të shoqërojë miratimin e projektit. Vlera e këtij fondi do të dalë në përputhje me madhësinë e projektit që do të realizohet, por, në çdo rast, jo më pak se 3% e vlerës së tij. 4. Institucioni prokurues nëpërmjet sistemit të integruar i dërgon analizat për zërin e punës, të paraqitura nga subjekti ofertues i shpallur fitues, si kërkesë për t’u përfshirë në manualin e çmimeve.
Neni 14 Subjektet, që kryejnë veprimtari në fushën e tregtimit të materialeve apo të produkteve të ndërtimit, si dhe në fushën e ndërtimit, bëjnë kërkesë nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania për përfshirjen e produkteve dhe analizave të reja teknike, të shoqëruara me informacionin: a) Për prodhuesit e materialeve të ndërtimit, në përputhje me licencën që zotërojnë: i. analizën tekniko-financiare të prodhimit; ii. skedën teknike të çdo materiali (analizat laboratorike); iii. emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit; iv. çmimin përkatës të çdo materiali. b) Për importuesit e materialeve të ndërtimit: i. skedën teknike të çdo materiali të importuar, sipas standardit të vendit të origjinës; ii. emrin dhe kodin e saktë të çdo materiali, sipas standardit të referimit; iii. çmimin përkatës të çdo materiali. c) Për ndërtuesit, që përdorin materialet e ndërtimit, sipas përdorimeve përkatëse: i. analizën tekniko-financiare të zërit të punës; ii. specifikimet teknike të materialeve dhe të teknologjisë së përdorur.
Neni 15 Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos: a) shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën; b) shpenzimet për materialet; c) shpenzimet për transportin; ç) shpenzimet për makineritë, dhe nëpërmjet sistemit të integruar i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çmimet e mesatarizuara në shkallë vendi.
Neni 16 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me marrjen e kërkesës për dhënien e çmimeve të mesatarizuara në shkallë vendi, është përgjegjëse për vënien në dispozicion brenda 15 ditëve të çmimeve të mesatarizuara pas kontrollit nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren, ministrisë që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit.
Neni 17 1. Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, është përgjegjëse për unifikimin dhe përpunimin e analizave të reja me çmimet e mesatarizuara të ardhura nga Drejtoria Përgjithshme e Tatimeve, si dhe reflektimin e ndryshimit të çmimeve të mesatarizuara në analizat ekzistuese. 2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dërgon në çdo kohë, nëpërmjet sistemit, përditësimin e çmimeve mesatare ekzistuese, si dhe kryen propozime për produkte të reja nga kontrolli nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren.
Neni 18 Të gjitha detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe detyrimet e tjera, të lidhura me veprimtarinë ndërtuese në fushën e ndërtimit, përfshirë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, llogariten sipas vlerave faktike të punimeve, bazuar në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin e çmimeve të ndërtimit, të zbërthyera sipas strukturës së kostos, në përputhje me udhëzimin nr. 2, datë 8.5.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin dhe strukturën e kostos së punimeve të ndërtimit”.
Neni 19 1. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 629, datë 15. 7.2015, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, të ndryshuar, dhe nr. 514, datë 15.8.2007, “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualit të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, shfuqizohen.
- Rregullat e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 629, datë 15.7.2015, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, të ndryshuar, dhe nr. 514, datë 15.8.2007, “Për informatizimin e llogaritjes së kostos dhe hartimin e manualit të çmimeve të punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, do të zbatohen deri në 3 (tre) muaj nga publikimi i sistemit të integruar në portalin unik qeveritar e-Albania.
- Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe çdo institucion shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare./Monitor.al