Kosova ka shpallur të premten, 24 prill, Ditë zie shtetërore në nderim të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e cila theksoi vlerësimin institucional për figurën dhe kontributin e tij.
“Me këtë vendim, shteti ynë shpreh nderimin dhe mirënjohjen për një personalitet që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet”, ka shkruar ajo.
Akademiku Qosja ndërroi jetë gjatë ditës së sotme dhe u varros në varrezat e Dragodanit, pa një ceremoni mortore, në përputhje me amanetin e tij. Familja e të ndjerit njoftoi se nuk do të organizojë pritje dhe nuk do të marrë pjesë në ceremonitë institucionale.
“Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale”, thuhet në njoftim.
Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare, i njohur si shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti dhe akademik. Ai u dallua jo vetëm për veprimtarinë shkencore dhe letrare, por edhe për angazhimin e tij në debatet publike, ku shpesh mbajti qëndrime të forta mbi çështje të identitetit kombëtar, historisë, kulturës dhe zhvillimeve politike në Kosovë dhe Shqipëri.







