Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka vënë në dijeni Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për një formë të re të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, e cila paraqitet si produkt ushqimor dhe mund të rrezikojë veçanërisht të miturit në ambientet shkollore.
Në shkresën dërguar ministrisë, Policia paralajmëron për produkte me përmbajtje të lartë THC, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, të cilat janë gjetur në formë xheli dhe njihen si “Edibles”. Sipas dokumentit, këto produkte mund të ngatërrohen lehtësisht me karamele apo produkte të tjera ushqimore të ngjashme, përfshirë ato të tipit “Haribo”.
Policia thekson se vështirësia për t’i dalluar vizualisht rrit ndjeshëm rrezikun e konsumimit aksidental, sidomos nga fëmijët dhe të miturit. Përqendrimi i lartë i THC-së në këto produkte, sipas shkresës, mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, përfshirë efekte toksike akute, çrregullime neurologjike dhe reagime të rënda psikoaktive.
Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i kërkon Ministrisë së Arsimit rritjen e ndërgjegjësimit në institucionet arsimore, si dhe informimin e stafit mësimdhënës, nxënësve dhe strukturave vendore për rrezikun që paraqesin këto produkte.
Në letrën zyrtare thuhet:
“E nderuar Znj. Kumbaro,
Njësia e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm të substancave të reja psikoaktive, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëpërmjet Institutit të Policisë Shkencore (IPSH), është njohur me një informacion mbi një formë të re trafikimi dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, të paraqitura si produkte ushqimore me përmbajtje të lartë THC (nga cannabis), e cila rezulton e përpunuar në formë xheli, e njohur si “Edibles”.
Kjo formë e këtyre produkteve paraqet vështirësi në identifikimin vizual, duke rritur ndjeshëm rrezikun e konsumimit veçanërisht nga të miturit dhe fëmijët, për shkak të ngjashmërisë me produkte të tjera ushqimore në formë xheli (haribo, karamele etj.).
Përqendrimi i lartë i THC-së në produkte të tilla mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, duke përfshirë efekte toksike akute, çrregullime neurologjike, si dhe reaksione të rënda psikoaktive, sidomos tek fëmijët dhe individët vulnerabël.
Për sa më sipër, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe në veçanti, të substancave të reja psikoaktive, informacioni ju përcillet për njohje, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit pranë strukturave arsimore, qendrore e vendore, stafit mësimdhënës dhe nxënësve të institucioneve të arsimit parauniversitar, mbi rrezikun që paraqet konsumimi i këtyre produkteve, të cilat konsiderohen kërcënim serioz për shëndetin publik, sidomos për të miturit dhe fëmijët.
Bashkëlidhur ju përcjellim disa foto të produkteve ushqimore “Edibles” të gjetura në Shqipëri.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin!
DREJTORI I PËRGJITHSHËM”









