Ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku ka dhënë një deklaratë për mediat ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për disa nga çështjet më shqetësuesë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pasi hakerat publikuan informacione të klasifikuara të policisë nga sistemet MEMEX dhe Deep Sea, u aludua se jetët e efektivëve të cilët kanë kryer operacione për kapjen e eksponentëve kriminalë janë në rrezik, pasi në të dhënat e publikuara ishin emrat e tyre. Kreu i policisë u shpreh se efektivët nuk janë nën presionin e askujt pas sulmeve kibernetike dhe emrave të ekspozuar. Edhe pse Rrumbullaku bëri këto deklarata ditën e sotme, të dhënat kanë dalë në treg dhe askush nuk i ndalon kriminelët të hakmerren ndaj punonjësve të policisë.
“Nuk ka informacion të klasifikuar pavarësisht instagramit dhe rrjetit. Duhet të keni informacionin për sistemin Deep Sea është motor kërkimi. Nuk ka database nuk ka të dhëna. Nuk kemi asgjë të ekspozuar, megjithatë ekspertiza do e tregojë. S’kemi frikë nga askush. Punonjësit e policisë nuk kanë frikë nga askush. Po kryejnë detyrën e tyre”, tha Rrumbullaku.
Ndërkohë Rrumbullaku u përgjigj edhe për çështjen e Ervis Martinajt, për të cilën deklaroi se struktura të veçanta po ndjekin rastin.
“Kemi struktura të veçanta që po ndjekin rastin, na ka deleguar prokurori detyrat është një hetim miks. S’kam për të deklaruar asgjë më tepër”, tha Rrumbullaku.