Hakerat iranianë nuk dinë të ndalen në publikimin e të dhënave që kanë aksesuar nga sistemet që kanë goditur disa muaj më parë.
Së fundmi kanë shigjetur familjen dhe konkretisht bashkëshorten e ish-drejtorit të SHISH-it Helidon Bendo. Theksojmë se hakerat kanë bërë publike të gjitha të dhënat personale të bashkëshortes së këtij të fundit.
Gjithashtu në të dhënat e publikuara përfshihen kartat e identitetit, pasaporta, patenta dhe të gjitha hyrje dhe daljet nga pikat kufitare.
Në të dhënat e publikuara, ashtu si për kreun e SHISH, shfaqen hyrje-daljet kufitare të bashkëshortes së tij gjatë viteve të ndryshme. Të dhënat e publikuara mbi Bendon, hakerat i kanë shoqëruar me shprehje nga Bibla.
“Ose ata tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, mendoni se ishin mëkatarë mbi të gjithë njerëzit që banonin në Jeruzalem. Unë ju them: Jo, por nëse nuk pendoheni, do të vdisni gjithashtu”, thuhet në publikimin e bërë. Nuk dihet se çfarë lidhje ka kjo shprehje me bashkëshorten e Bendos, apo nëse ky mund të jetë një kërcënim i mundshëm.
Kujtojmë që para pak ditësh në shesh dolën të gjitha të dhënat e Helidon Bendos. Ashtu sikurse kuptohet qartë tashmë, hakerat kanë në duar të gjithë informacionin me rëndësi të veçantë në vend, ku nuk kanë kursyer as shërbimin informativ të brendshëm, ku sigurisht siguria duhet të jetë maksimale.
Ndërkohë që sjellim në vëmendje se hakerat iranainë më herët kanë publikuar të dhënat e sistemit policor “MEMEX” . Po ashtu, hakerat publikuan edhe numrat e telefonit të shqiptarëve, matrial i cili përbëhej nga disa foldera. Gjithashtu në “kthetrat” e hakerave iranianë ka qenë edhe ish-drejtori i përgjithsëhm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Më herët u publikuan të dhënat që janë marrë nga emaili i Gledis Nanos.
Nga ana tjetër, lidhur me të dhënat e publikuara nga hakerat iranianë, Policia e Shtetit dhe vetë kryeministri kanë deklaruar se nuk ajnë prekur të dhënat sensitive që institucionet e vendit kanë në sistemet e tyre përkatëse.