Ditën e djeshme, bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Rudina Hajdari, mblodhi grupin demokrat, përpara se të diskutonte me përfaqësuesit e partive të tjera.
Tavolina e reformës zgjedhore, përveç Hajdarit përbëhej edhe nga Oerd Bylykbashi i PD, Petrit Vasili i LSI dhe Damian Gjiknuri i PS.
Palët ranë dakord që do reforma zgjedhore do të dakordësohej jashtë parlamentit dhe më pas do të votohej brenda tij me konsensus, pa bërë asnjë ndryshim.
Deputetja Rudina Hajdari nuk pranoi të vinte firmën, pasi ishte njoftuar në minutën e fundit për marrëveshjen politike, që bën pjesë të diskutimeve PD dhe LSI.
Detajet e takimit mes Hajdarit dhe grupit parlamentar të PD në parlament u bënë publike nga deputeti Korab Lita.
Ky i fundit tha se Hajdari në ndryshuim nga politikanët e tjerë nuk vë firma pa u konsultuar me deputetët e saj.
Lita tha se Hajdari nuk firmosi, pasi gjatë diskutimit u anashkalua ndryshimi i sistemit.
Sipas tij, çdo gjë ishte kopsitur më parë nga PS dhe opozita jashtë parlamentit.
“Sot mbledhja e grupit parlamentar u zhvillua në funksion të marrëveshjes për reformën zgjedhore. Parimisht ne deputetët e rinj jemi dakord për çdo lloj marrëveshje mes palëve politike kur është në të mirën e qytetarëve dhe e bazuar në ligj, dhe bëhet në institucione. Nëse lexojmë marrëveshjen shihet që është e parapërgatitur nga dy forcat politike kryesore, dhe anashkalon tagrin kryesor të deputetëve të rinj, ndryshimin e sistemit. U theksua edhe një herë që deputetët e opozitës parlamentare janë të gjithë në unison për ndryshimin e sistemit. Marrëveshja ka qenë e parapërgatitur nga forcat kryesore politike dhe zonja Hajdari është lajmëruar në momentet e fundit dhe kjo është arsyeja pse ka refuzuar ta firmosë dokumentin, për tu konsultuar me deputetët. Çdo gjë është e dirigjuar nga ndërkombëtarët, por nuk hyjnë në detaje dhe mbështetin çka vjen mirë për qytetarët jo për politikanët. Ne jemi për një reformë që të bëhet këtë vit dhe të paktën për 30 vitet e ardhshme të mos ketë nevojë për ndryshim. Zonja Hajdari në atë komision është përfaqësuese e një grupi parlamentar, dhe në ndryshim nga çfarë thonë liderët bëhen në parti, ajo refuzoi të firmosë që aty të shkojë me zërin e të gjithë kolegëve, jo me zërin e saj personal“, tha Korab Lita.