Skip to content
Të Gjitha

Guvernatori Sejko, në shtëpi me Covid. Zëvendësja e tij merr vendimin/ Ja çfarë ndodhi sot me normën bazë të interesit për lekun…  

· 2 min lexim

Ekonomia shqiptare po kalon momente të vështira prej pandemisë së koronavirusit, por situata financiare e vendit duket ende brenda parametrave optimalë, kjo të paktën sipas Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës i kësaj të fundit, sot në mungesë të guvernatorit Sejko, i cili është vetëizoluar pasi është raportuar i infektuar me COVID-19, realizoi mbledhjen e radhës dhe mori disa vendime të rëndësishme.

Këshilli i BSH-së, vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare, është i përshtatshëm në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit, ndaj vendosi sot të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 0.5%.

Zv.guvernatoria e Parë e BSH-së, Luljeta Minxhozi, u shpreh të mërkurën në konferencën për mediet se, gjithashtu mbeten të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.

“Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit”,- tha ajo, ndërsa evidentoi se, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se, balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm.

Në veçanti, tha Minxhozi, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga zgjatja e theksuar në kohë e pandemisë dhe riprezantimi i masave të distancimit social për kontrollin e saj; Lindja e problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare”,- deklaroi ajo.

/GazetaReforma.com/