Goditja e rradhës, Rusët të pamëshirshëm në Ukrainë (Detaje)

Të paktën 15 vetë kanë humbur jetën dhe mbi 24 të tjerë dyshohet të jenë bllokuar nën rrënoja pasi raketa ruse goditën një bllok apartamentesh pesëkatëshe në rajonin e Donetskut të Ukrainës, thanë zyrtarët lokalë të dielën.
Ukraina njoftoi gjithashtu për përleshje me trupat ruse në frontet e luftës në lindje dhe jug, ndërsa Moska tha se forcat e saj goditën depot e ushtrisë ukrainase ku mbaheshin artileri të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, pranë Kostyantynivkas në rajonin e Donetskut.
Guvernatori i Donetskut Pavlo Kyrylenko tha se blloku i apartamenteve u godit të shtunën në mbrëmje në qytetin Chasiv Yar. Shërbimi rajonal i urgjencës njoftoi të dielën për 15 të vdekur, duke shtuar se 24 persona të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja.
Andriy Yermak, shefi i shtabit të Presidentit Volodymyr Zelenskiy, tha në një postim në Telegram se bëhej fjalë për “një tjetër sulm terrorist” dhe se Rusia duhet të konsiderohet si sponsorizuese e terrorizmit.
Lufta në Ukrainë ka filluar që nga 24 shkurti i këtij viti dhe po shkakton viktima çdo ditë nga sulmet makarbe të Rusisë. Krahas viktimave kjo luftë ka shkaktuar edhe një dëm të madh ekonomik jo vetëm për vendet e përfshira por për të gjithë Bashkimin Europian ./VOA