Skip to content
Të Gjitha

Goditi efektivin gjatë shoqërimit/ Arrestohet 39-vjeçari në Tiranë, gjobiten 278 këmbësorë për thyerje të karantinës

· 2 min lexim

Policia ka vijuar me zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Tiranë janë arrestuar dy shtetas, për shkelje të masave të vendosura nga kryeministri Edi Rama.

Në pranga ka rënë A.T., 39 vjeç, pasi u konstatua duke lëvizur pa emergjencë, ndërsa kundërshtoi dhe goditi punonjësin e policisë gjatë shoqërimit, si dhe G.M., 46 vjeç, i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi për motoçikletën.

Gjithashtu në rang vendi janë gjobitur me 10.000 lekë, 278 shtetas, të cilët u konstatuan duke lëvizur në këmbë dhe biçikletë, pa arsye apo emergjencë.

Njoftimi i policisë

Policia e Shtetit Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë janë arrestuar 2 shtetas, konkretisht shtetasi A. T., 39 vjeç, pasi është konstatuar duke lëvizur pa ndonjë emergjencë apo arsye dhe gjatë shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë dhe shtetasi G. M., 46 vjeç, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, një motoçikletë.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 278 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Me përditësimit e fundit të të dhënave, bilanci i COVID-19 në vendin tonë shkoi në 104.

Nga këto 5 janë të shëruar dhe 4 të tjera viktima, dy prej të cilëve ndërruan jetë në 24 orët e fundit.

Në repartin e Infektivit janë të shtruar 49 persona, tre prej të cilëve në gjende të rëndë.

Autoritetet ndërkohë vijojnë me thirrjet për respektimin e rregullave të higjienës, kufizimin e lëvizjeve dhe mbajtjen e distancës së sigurisë.